Qeveria e Republikës së Kosovës do të mbajë sot mbledhjen e radhës, ku pritet të shqyrtojë dhjetë pika të rendit të ditës, që përfshijnë projektligje, propozim-vendime dhe çështje të ndryshme institucionale.
Ndër çështjet kryesore që do të shqyrtohen janë Projektligji për Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave dhe Projektligji për Inspektoratin Qendror të Bujqësisë, Sigurisë Ushqimore, Veterinës dhe Pylltarisë. Në rend dite është përfshirë edhe Drafti i Programit për Vlerësimin Ex-Post të Akteve Juridike për periudhën 2026–2028.
Po ashtu, ministrat do të shqyrtojnë ndryshimet në vendimin për zbatimin e sanksioneve ndërkombëtare, si dhe propozim-vendimet për autorizimin e nënshkrimit të marrëveshjeve për sigurime sociale me Austrinë dhe Turqinë. Sipas rendit të ditës, mbledhja përfshin gjithsej dhjetë pika për shqyrtim.
