Projektligji për ndryshimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe të Zyrës së Prokurorit Special në Hagë, ka kaluar në dy leximet e nevojshme në Kuvend. Kalimi erdhi pasi PDK-ja dhe LVV-ja u pajtuan për emrin e postit të Presidentit, kur u propozua Justina Shiroka-Pula.
E Daut Haradinaj, anëtar i Kryesisë së Aleancës, në Rubikon të Klan Kosova thotë se ky negocim për ndryshimin e Ligjit për Specialen, nuk është dashur të bëhej, pasi sipas tij, kishte të bënte me çështje kombëtare.
“Shteti ynë asnjë veprim nuk e ka bërë, përpos atyre marrëveshjeve të errëta që i kam quajt unë dy javë para se me ardhë deri te data kritike e 6 tetorit, në një farë forme e nxorën një lajm, dalja nga kriza institucionale, zgjedhja e presidentes”. “Qëllimi i errët, dhe produkti i errët, sepse ne nuk kemi kërkuar negocim në rrugë.
Protesta jonë nuk ka qenë negocim me qeverinë për rishikimin e Ligjit për Specialen”. “Me gjithë respektin për zotëri Hamzën, veprimet nuk kanë qenë ato që i kanë deklaruar. E ndalën protestën për shkak të një lajthitjeje skandaloze që ndodhi nëpërmjet ligjeve”, deklaroi Haradinaj, raporton Klankosova.tv. Ai tha se orientimi i protestës nuk ka pasur qëllim zgjedhjen e Presidentes.
“Ne nuk kemi dalë për president, por kundër dënimit të krerëve të UÇK-së. Unë nuk jam PDK, kam qenë qytetar i pakënaqur me atë vendim. S’kemi dalë me përkrahë kauzën e një subjekti politik. U bë pazar i ulët. Është keqpërdorim i fatkeqësisë së njerëzve”. “Ai projektligj ka qenë për Dhomat e Specializuara në Hagë. Aty nuk ka pasur të drejtë askush të negociojë.
Përgjegjësi e zotëri Kurtit, edhe e Abdixhikut, edhe e Gjinit, edhe e Hamzës, ka qenë në aspektin kombëtar, jo me hy në negociata”, u shpreh ish-deputeti i Aleancës.
