Mediumi italian “Infodifesa.it”, i cili raporton për çështje të mbrojtjes, ka shkruar për marrjen e komandës së KFOR-it nga gjenerali italian Roberto Vergori, duke theksuar se tranzicioni i përgjegjësisë për Urën e Ibrit te Policia e Kosovës tashmë është i dukshëm në terren.
Sipas këtij mediumi, ndryshimi vërehet në kalimin e përgjegjësisë për urën kryesore mbi Ibër, në Mitrovicë, te Policia e Kosovës, si dhe në përfshirjen e saj në dispozitivin e sigurisë përreth Manastirit të Deçanit.
“Tranzicioni tashmë është i dukshëm në terren: kalimi i përgjegjësisë për urën kryesore mbi Ibër, në Mitrovicë, te Policia e Kosovës, si dhe përfshirja e kësaj policie në dispozitivin e sigurisë përreth Manastirit të Deçanit”, shkruan mediumi italian.
Në raportim citohet edhe gjenerali turk Ozkan Ulutas, i cili, para largimit nga komanda e KFOR-it, kishte theksuar se ky proces nuk nënkupton bartjen e mandatit të misionit te Policia e Kosovës dhe as zvogëlimin e angazhimit të NATO-s.
“Optimizimi nuk përbën transferim të mandatit të KFOR-it te Policia e Kosovës dhe as nuk përfaqëson tërheqje apo zvogëlim të angazhimit të NATO-s”, kishte deklaruar Ulutas. Megjithatë, pavarësisht këtij progresi, “Infodifesa” shkruan se vetë komanda e përshkruan situatën e sigurisë si “të brishtë”, me “potencial për tensione të reja”, veçanërisht në veri të Kosovës.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
