Bleon Dibrani, i dënuar me 17 vjet burgim për vrasjen e 19-vjeçarit Ardit Zymeri në Vushtrri, ka dalë sot para Gjykatës së Apelit. Rasti i rëndë, që përfundoi me humbjen tragjike të jetës së një të riu vetëm 19-vjeçar, është rikthyer në shqyrtim gjyqësor, këtë herë para shkallës së dytë.
Dibrani ishte shpallur fajtor nga gjykata e shkallës së parë, e cila i kishte shqiptuar dënimin prej 17 vjetësh burgim për vrasjen e Ardit Zymerit. Tashmë, çështja është para Gjykatës së Apelit, ku po shqyrtohet aktgjykimi i shkallës së parë. Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, ngjarja kishte ndodhur më , rreth orës , në rrugën “Galip Badivuku” në Vushtrri.
Dibrani akuzohej se kishte shtënë me armë zjarri në drejtim të Ardit Zymerit, duke e goditur tri herë në trup. Si pasojë e plagëve të rënda në mushkëri dhe mëlçi, 19-vjeçari kishte ndërruar jetë në Emergjencën e Spitalit të Vushtrrisë.
Më , Gjykata Themelore në Mitrovicë e kishte shpallur fajtor Dibranin, duke e dënuar me 16 vjet burgim për vrasje dhe dy vjet për armëmbajtje pa leje, ndërsa i kishte shqiptuar dënim unik prej 17 vjetësh burgim. Gjatë shpalljes së aktgjykimit, trupi gjykues, i kryesuar nga gjyqtari Xhemajl Jusufi, kishte bërë rikualifikimin e veprës penale nga “vrasje e rëndë” në “vrasje”.
Vendimi kishte shkaktuar reagime të ashpra te familjarët e viktimës, të cilët, të revoltuar dhe të përlotur, ishin larguar nga salla e gjykimit. Xhaxhai i viktimës, Nystret Zymeri, e kishte cilësuar vendimin si një “vrasje të dytë” për familjen, duke shprehur pakënaqësi për dënimin e shqiptuar.
Ndërkohë, Dibrani gjatë gjykimit kishte pretenduar se para ngjarjes ishte kërcënuar në rrjetet sociale dhe se natën kritike kishte shtënë nga frika, duke menduar se viktima mund të ishte e armatosur. Rasti tashmë është rikthyer para drejtësisë në Gjykatën e Apelit, ku mbetet të shihet vendimmarrja lidhur me aktgjykimin e shkallës së parë.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
