Policia e Shtetit në Shqipëri ka pezulluar nga detyra katër efektivë dhe shefin e Rendit në Komisariatin Nr. 1, nënkomisar F. K., pas publikimit të videos ku shfaqet 19-vjeçari L. B., i cili kishte këmbën e thyer dhe po shoqërohej nga policia pranë Parlamentit për t’u dërguar në spital.
Sipas Policisë së Shtetit, janë nisur menjëherë verifikimet për të sqaruar rrethanat e rastit dhe mënyrën se si është trajtuar i riu nga efektivët. Drejtoria e Standardeve Profesionale ka nisur hetimin disiplinor ndaj pesë zyrtarëve policorë, ndërsa Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, në bashkëpunim me Prokurorinë, ka filluar hetimet për rastin.
Gjithashtu, me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, është ngritur një grup i posaçëm nën drejtimin e Drejtorisë së Standardeve Profesionale, i cili do të shqyrtojë veprimet e punonjësve të policisë nga fillimi deri në përfundim të protestës, si dhe respektimin e procedurave standarde të punës.
Policia ka bërë të ditur se çdo punonjës që ka shkelur procedurat ose ka tejkaluar kompetencat do të mbajë përgjegjësi. Në reagimin e saj, Policia e Shtetit ka dënuar edhe aktet e dhunshme të regjistruara në kryeqytet gjatë protestës, duke përfshirë dëmtimin, shkatërrimin dhe djegien e pronës.
Sipas saj, këto veprime nuk kanë lidhje me ushtrimin paqësor të së drejtës për protestë dhe nuk mund të justifikohen në asnjë rrethanë. Policia u ka bërë thirrje personave të maskuar dhe atyre që kryejnë akte dhune e shkatërrimi që t’i ndalin menjëherë veprimet e tyre, duke paralajmëruar se do të përballen me ligjin.
Po ashtu, u ka kërkuar qytetarëve të distancohen nga personat e dhunshëm, me qëllim garantimin e sigurisë së tyre. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
