Tri raste të rënda të vrasjeve brenda familjes në periudhën e fundit kanë tronditur Gjilanin. Derisa të premten dy persona vdiqën nga goditja me armë të zjarrit, një rast tjetër ndodhi të dielën në Pogragjë të kësaj komune.
Mbrëmja e së dielës ishte e rëndë për familjen Arifi, nga të shtënat me armë zjarri i vdekur ka mbetur një 29 vjeçar, ndërsa i dyshuari, në këtë rast, babai i viktimës është ende në arrati. Derisa trupi i viktimës ndodhej në obduksion, familja hapi dyert për ngushëllime.
Për viktimën dhe të dyshuarin, të afërmit thonë se nuk kanë pasur asnjëherë problem me askënd dhe se ky rast i ka habitur të gjithë. “Është i afërmi im, kushëri. Kurrë nuk kemi dëgjuar që ka pasur ndonjë problem. As vëllai i tij nuk di të na tregojë nëse ka pasur ndonjë konflikt. Por, kështu qenka shkruar. Nuk kemi ende informata.
Vetura i është gjetur në kufi, në Kukaj, ndërsa për babanë ende nuk dihet asgjë”, tha Fadil Rexhepi, familjar. Pas dy rasteve tragjike në Gjilan, Hyseni kërkon kontrolle më të shpeshta për armëmbajtje pa leje Ndërkohë, Policia e Kosovës në raportin e saj ka bërë të ditur se në shtëpinë ku ndodhi rasti janë sekuestruar dy pushka, një pistoletë, 68 fishekë dhe 4 gëzhoja, derisa i dyshuari ndodhet në kërkim policor.
Të dhëna për rastin ka dhënë edhe Prokuroria Speciale, sipas të cilës i dyshuari 53 vjeçar për motive ende të panjohura ka privuar nga jeta djalin e tij, 29 vjeçar. Sipas Prokurorisë, asnjëri nga ta nuk kanë pasur të kaluar kriminale e as ndonjë rast të raportuar për dhunë në familje.
E pas rasteve të fundit, komuna e Gjilanit ka mbajtur një mbledhje urgjente të Këshillit Komunal për Siguri në Bashkësi. Kryetari i kësaj komune, Alban Hyseni tha se ka kërkuar rritjen e kontrolleve policore për armëmbajtje pa leje dhe shtimin e prezencës së policisë në shkolla për të garantuar sigurinë e fëmijëve
