Papa Leo XIV ka përsëritur kundërshtimin e Kishës Katolike ndaj dënimit me vdekje, duke e cilësuar atë të papranueshëm, në kohën kur në Shtetet e Bashkuara po zhvillohet debat për ekzekutimin e planifikuar të ish-majorit amerikan Nidal Malik Hasan. Hasani u dënua për vrasjen e 13 personave dhe plagosjen e 32 të tjerëve gjatë sulmit të vitit 2009 në bazën ushtarake Fort Hood, në Teksas.
Sipas raportimit të Telegrafit, ekzekutimi i tij me pushkatim është planifikuar për më 3 dhjetor, ndërsa njoftimi për mundësinë e transmetimit të drejtpërdrejtë nga Pentagoni ka nxitur reagime dhe polemika. Papa Leo XIV iu bashkua debatit më 10 tetor, në Ditën Botërore Kundër Dënimit me Vdekje, përmes një mesazhi të publikuar në rrjetin social X.
“E mira e përbashkët mund të mbrohet dhe kërkesat e drejtësisë mund të përmbushen pa iu drejtuar dënimit me vdekje”, thuhet në mesazhin e tij. Ai theksoi se ekzistojnë sisteme efektive burgimi që mund të mbrojnë qytetarët, pa ua mohuar plotësisht personave të dënuar mundësinë e shpengimit.
Edhe sekretari i shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin, ka reaguar kundër planit për një ekzekutim publik, duke deklaruar se është e papranueshme që vdekja të kthehet në spektakël. Kundërshtim ka shprehur edhe kryetari i Konferencës së Ipeshkvijve Katolikë të SHBA-së, kryeipeshkvi Paul Coakley, i cili ka kërkuar rishqyrtimin e vendimit.
Ndërkohë, nënpresidenti amerikan JD Vance ka deklaruar se nuk do ta shikonte transmetimin e drejtpërdrejtë të ekzekutimit, nëse ai realizohet. Megjithatë, ai ka theksuar rëndësinë e krimeve të kryera nga Hasani dhe ka vënë në pikëpyetje nëse plani për transmetimin publik do të zbatohet.
Kisha Katolike e shpalli zyrtarisht dënimin me vdekje të papranueshëm në çdo rrethanë në vitin 2018, kur Papa Françesku ndryshoi formulimin përkatës të Katekizmit të Kishës Katolike. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
