Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, nis sot në Tiranë turneun e saj të gjashtë vjetor në Ballkanin Perëndimor, gjatë të cilit do të vizitojë Shqipërinë, Kosovën, Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut, shkruan Telegrafi.
Sipas agjendës zyrtare vizita do të përqendrohet në hapat që duhet të ndërmarrin vendet partnere për të përparuar drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian, si dhe në procesin e integrimit gradual. Ky proces mbështetet edhe nga Plani i Rritjes i BE-së për Ballkanin Perëndimor, në vlerë prej gjashtë miliardë eurosh.
Von der Leyen do ta nisë turneun në Tiranë, ku do të zhvillojë takime me presidentin e Shqipërisë, Bajram Begaj, dhe kryeministrin Edi Rama, transmeton Telegrafi. Sipas agjendës të enjten, më 1 tetor, ajo do të udhëtojë drejt Prishtinës, ku do të takohet me ushtruesen e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, dhe kryeministrin Albin Kurti.
Po atë ditë, presidentja e Komisionit Evropian do të vazhdojë vizitën në Podgoricë, ku do të pritet nga presidenti i Malit të Zi, Jakov Milatoviq, dhe kryeministri Milojko Spajiq. Turneu do të përfundojë të premten, më 2 tetor, në Shkup. Atje, Von der Leyen do të takohet me presidenten e Maqedonisë së Veriut, Gordana Siljanovska-Davkova, dhe kryeministrin Hristijan Mickoski.
Gjatë qëndrimit në rajon, Von der Leyen do të vizitojë edhe disa projekte të financuara nga Bashkimi Evropian. Në mesin e tyre janë shkolla “Emin Duraku” në Tiranë, e rindërtuar pas dëmtimeve të shkaktuara nga tërmeti i vitit 2019, objekti i ri i Fakultetit të Matematikës dhe Shkencave të Natyrës në Prishtinë, si dhe Korridori VIII hekurudhor në Maqedoninë e Veriut.
Në Podgoricë, ajo do të marrë pjesë në përurimin e Qendrës Kombëtare të Koordinimit. Qendra e re operacionale synon të forcojë menaxhimin e kufijve të Malit të Zi dhe të mundësojë shkëmbim më të mirë të informatave me vendet anëtare të BE-së dhe Frontex-in. Gjatë turneut janë paraparë edhe konferenca për media, të cilat do të transmetohen në platformën audiovizuale të Komisionit Evropian.
Serbia dhe Bosnjë-Hercegovina jashtë itinerarit Ndryshe nga vendet e tjera të Ballkanit, Von der Leyen nuk do ta vizitojë Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën. Komisioni Evropian ka deklaruar se vizitat janë shtyrë për shkak të zgjedhjeve të afërta në të dyja vendet.
Bosnjë-Hercegovina do t’i mbajë zgjedhjet e përgjithshme më 4 tetor, ndërsa në Serbi zgjedhjet e parakohshme parlamentare janë caktuar për 25 tetor. Zëdhënësja e Komisionit Evropian, Arianna Podesta, kohë më parë ka sqaruar se BE-ja shmang vizitat e tilla gjatë fushatave, në mënyrë që të mos perceptohet si pjesë ose si ndikuese në proceset zgjedhore.
Sipas saj, Von der Leyen synon t’i vizitojë Serbinë dhe Bosnjë-Hercegovinën pas përfundimit të zgjedhjeve. Kjo thuhet edhe në agjendën zyrtare. Në anën tjetër sipas mediave në rajon presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, megjithatë, e ka cilësuar shpjegimin e Brukselit si një “justifikim elegant” për mospërfshirjen e Beogradit në turne.
Vendimi vjen në një periudhë tensionesh të shtuara ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Serbisë, pas ceremonive të organizuara në Beograd për Ratko Mlladiqin, ish-komandantin e Ushtrisë së serbëve të Bosnjës, i dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocid, krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Trupi i Mlladiqit ishte kthyer në Serbi me avion qeveritar, ndërsa në ceremoninë e varrimit morën pjesë zyrtarë shtetërorë dhe u zhvilluan nderime ushtarake.
Pas këtyre zhvillimeve, komisionerja evropiane për Zgjerim, Marta Kos, anuloi vizitën e planifikuar në Serbi, duke vlerësuar se glorifikimi i personave të dënuar për krime lufte bie ndesh me vlerat evropiane dhe përpjekjet për pajtim në rajon.
Marta Kos anulon vizitën në Serbi: Glorifikimi i Mlladiqit është i papajtueshëm me vlerat e BE-së Edhe Von der Leyen reagoi ndaj ceremonisë, duke thënë se ishte tronditur nga pamjet e varrimit. Ajo theksoi se glorifikimi i kriminelëve të luftës nuk ka vend në Bashkimin Evropian. Komisioni Evropian këmbëngul se zgjedhjet janë arsyeja zyrtare për shtyrjen e vizitave.
Megjithatë, mospërfshirja e Serbisë në itinerar është interpretuar edhe në kontekstin e përkeqësimit të marrëdhënieve mes Brukselit dhe Beogradit pas nderimeve të organizuara për Mlladiqin. Von der Leyen ka përsëritur gjatë këtij viti se e ardhmja e Ballkanit Perëndimor është në Bashkimin Evropian dhe se Unioni nuk do të jetë i plotë pa vendet e rajonit.
Megjithatë, ajo ka theksuar se procesi i zgjerimit do të vazhdojë të mbështetet në përmbushjen e kritereve të përcaktuara..
