Csaba Laszlo do të marrë drejtimin e Vllaznisë. Trajneri 62-vjeçar do të pasojë Edi Martinin, i cili u shkarkua pas rezultateve të dobëta në fundin e sezonit të kaluar dhe gjatë këtij edicioni. “Shkodra Sport” raporton se presidenti Alban Xhaferi e ka bërë zgjedhjen e tij përfundimtare dhe është pikërisht Laszlo, ndërsa prezantimi do të vijë këtë javë.
Debutimi ndërkohë do të jetë ndaj Dinamos në fundjavën tjetër. Laszlo është me origjinë nga Hungaria, por i lindur në Rumani. Po ashtu ka edhe nënshtetësinë gjermane. Në karrierën e tij ka drejtuar përfaqësuesen e Ugandës dhe Lituanisë, teksa te Hungaria ishte ndihmës trajner. Si trajner klubesh ishte për herë të fundit te Sepsi OSK në Rumani.
Eksperienca e vitit të kaluar zgjati vetëm tri ndeshje. Laszlo ka provuar pozicione të ndryshme gjatë karrierës. Te MTK Budapest pasi u vendos skaut, drejtoi edhe skuadrën si trajner. Në anën tjetër me Csikszeredan në Rumani provoi të jetë drejtor teknik. Eksperienca të tjera janë si trajner i Ferencvarosh, Çarleroi, Dunde etj.
Në vitin 2005 ishte “Trajneri i Vitit” në Hungari duke qenë se udhëhoqi Ferencvaroshin në Europë. Në vitin 2009 në Skoci fitoi të njëjtin çmim nga shoqata e gazetarëve, pasi kishte bërë mjaft mirë me Hearts.
