Videot intime të personazheve VIP, reagon Komisioneri për Mbrojtjen e

0%

Pas publikimit dhe shpërndarjes në rrjetet sociale dhe portalet online të disa materialeve intime të personave publikë në vendin tonë, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, ka reaguar duke u bërë thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të internetit që të ndalojnë publikimin dhe rishpërndarjen e tyre.

Komisioneri thekson se edhe personat publikë gëzojnë të drejtën për privatësi dhe se kurioziteti i publikut për jetën intime të një individi nuk përbën, në vetvete, interes publik që justifikon publikimin e këtyre materialeve. Në reagim nënvizohet gjithashtu se fakti që një material është publikuar më parë në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin apo rishpërndarjen e tij.

Sipas Zyrës së Komisionerit, çdo rishpërndarje mund të rrisë ekspozimin dhe dëmin ndaj personave të prekur dhe familjeve të tyre. Zyra e Komisionerit paralajmëron gjithashtu për masa administrative dhe penale ndaj rasteve të përpunimit të paligjshëm të të dhënave personale, ndërsa kërkon heqjen e përmbajtjeve intime të publikuara në kundërshtim me ligjin.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Në vijim të publikimeve të fundit në media dhe rrjete sociale për materiale të pretenduara intime, Zyra e Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale u bën thirrje mediave, portaleve dhe përdoruesve të rrjeteve sociale të respektojnë jetën private dhe dinjitetin e çdo individi.

Ligji nr. 124/2024 “Për mbrojtjen e të dhënave personale” ndalon përpunimin e këtyre përmbajtjeve. Gjithashtu, publikimi dhe shpërndarja e tyre është e ndaluar. Të qënit figurë publike nuk përbën heqje dorë nga e drejta për jetë private. Kurioziteti për jetën intime të një individi nuk mjafton për të justifikuar publikimin e saj si çështje me interes publik.

Liria e shprehjes dhe e informimit duhet të ushtrohet duke respektuar kushtet e nenit 43 të ligjit, përfshirë domosdoshmërinë, proporcionalitetin dhe mbrojtjen e thelbit të të drejtave themelore. Fakti që një material qarkullon në internet nuk e bën të ligjshëm ripublikimin e tij. Çdo rishpërndarje mund të shtojë ekspozimin dhe dëmin ndaj personave të prekur dhe familjeve të tyre.

Çdokush që përpunon në mënyrë të paligjshme të dhëna personale është subjekt i masave administrative dhe penale. Zyra e Komisionerit bën thirrje të ndërpritet publikimi dhe rishpërndarja e materialeve intime në kundërshtim me ligjin dhe të hiqen përmbajtjet e publikuara në mënyrë të paligjshme” , shkruan Zyra e Komisionerit.

Burimi: Bota Sot