Rusia ka paralajmëruar NATO-n se është e gatshme të përdorë të gjithë arsenalin ushtarak që disponon, përfshirë edhe armët bërthamore, nëse vendet anëtare të Aleancës përpiqen të izolojnë rajonin e Kaliningradit nga pjesa tjetër e territorit rus. Kërcënimi është bërë përmes një letre të dërguar nga Kremlini udhëheqësve të NATO-s përmes Ambasadës së Rusisë në Belgjikë.
Në dokument, Moska akuzon Aleancën për përshkallëzim të situatës politiko-ushtarake rreth enklavës ruse në Detin Baltik dhe paralajmëron për pasoja të rënda në rast të një tentative për izolimin e Kaliningradit. Referimi i drejtpërdrejtë ndaj armëve bërthamore e bën këtë paralajmërim një tjetër përshkallëzim të retorikës mes Moskës dhe Perëndimit.
Moska: rrezik për konflikt të drejtpërdrejtë Në letrën drejtuar NATO-s, Rusia pretendon se ekziston një “përshkallëzim i paparë i situatës politiko-ushtarake” rreth rajonit të Kaliningradit, i shoqëruar, sipas Moskës, me deklarata publike provokuese nga zyrtarë të vendeve anëtare të NATO-s.
Kremlini paralajmëron se një përpjekje për të izoluar Kaliningradin mund të shkaktojë një konflikt të drejtpërdrejtë të armatosur.
“Rusia do të jetë e gatshme të përdorë arsenalin e plotë të kapaciteteve ushtarake që disponon, përfshirë edhe armët bërthamore, për të mbrojtur territorin e saj në Europë, nëse vendet e NATO-s përpiqen të izolojnë rajonin e Kaliningradit nga pjesa tjetër e vendit ”, thuhet në mesazhin e Moskës.
Rusia paralajmëron gjithashtu se, në rast të një konflikti, mund të ndërmarrë sulme ndaj qendrave vendimmarrëse të shteteve anëtare të Aleancës që në fazat e hershme të përballjes. Në mesazhin e saj, Moska u kërkon vendeve të NATO-s të “përmbahen nga veprimet e mëtejshme destabilizuese dhe përshkallëzuese”, me qëllim shmangien e një konflikti në shkallë të gjerë.
NATO: retorika bërthamore është e papërgjegjshme NATO e ka konfirmuar marrjen e letrës ruse dhe ka kundërshtuar pretendimet e Moskës se aktivitetet e Aleancës përbëjnë kërcënim për territorin rus. Zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart, tha se Aleanca është mbrojtëse dhe se aktivitetet apo stërvitjet e saj nuk përbëjnë rrezik për territorin rus.
Ajo dënoi gjithashtu kërcënimet për përdorimin e forcës, veçanërisht referencat ndaj armëve bërthamore. “Ne jemi një Aleancë mbrojtëse dhe asnjë nga aktivitetet apo ushtrimet tona nuk përbën rrezik për asnjë pjesë të territorit rus ”, deklaroi Hart. Ajo shtoi se NATO nuk do të tërhiqet nga mbështetja për Ukrainën, pavarësisht presionit dhe kërcënimeve nga Moska.
“Përdorimi i taktikave hibride nga Rusia është një shenjë dëshpërimi. Por ne nuk do të dekurajohemi nga mbështetja jonë për Ukrainën. Ne kemi atë që duhet për të mbrojtur çdo centimetër të territorit aleat ”, tha ajo.
NATO pranon se stërvitjet rreth Kaliningradit kanë pasur si qëllim demonstrimin e aftësive të Aleancës për të kontrolluar enklavën në rast të një agresioni ushtarak rus ndaj Evropës, por këmbëngul se bëhet fjalë për një demonstrim ushtarak dhe jo për një plan sulmi.
Kaliningradi, pika e ndjeshme e Baltikut Kaliningradi është një enklavë ruse në brigjet e Detit Baltik, e ndarë nga pjesa tjetër e territorit të Rusisë dhe e rrethuar nga Polonia dhe Lituania, të dyja vende anëtare të NATO-s. Pozita e tij gjeografike e ka bërë rajonin një nga pikat më të ndjeshme strategjike në përplasjen mes Rusisë dhe Aleancës Atlantike.
Moska e konsideron Kaliningradin me rëndësi të veçantë ushtarake dhe strategjike, ndërsa NATO ka zhvilluar stërvitje dhe skenarë ushtarakë që lidhen me mbrojtjen e krahut lindor të Aleancës. Pikërisht këto aktivitete janë përdorur nga Kremlini si bazë për akuzat se NATO po përgatitet për një përballje me Rusinë.
Lavrov: “Evropa po bën luftë kundër nesh” Pas përgjigjes së NATO-s, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, e ashpërsoi më tej retorikën. “Evropa padyshim po bën një luftë kundër nes h”, deklaroi Lavrov, duke akuzuar Perëndimin për mbështetje ndaj Ukrainës dhe për përdorimin e infrastrukturës evropiane në kuadër të konfliktit me Rusinë.
Sipas tij, Rusia po përdor forcën ushtarake për t’iu përgjigjur asaj që e konsideron kërcënim të drejtpërdrejtë ndaj sigurisë së saj. Deklaratat e Lavrovit shkaktuan një tjetër reagim nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. “ Rusia po vazhdon fushatën e saj të pamatur të veprimeve armiqësore. Por po dështon në fushën e betejës.
Ne do të bëjmë më shumë për Ukrainën, jo më pak ”, deklaroi Rutte. Edhe kryetari i Komitetit Ushtarak të NATO-s, Giuseppe Cavo Dragone, paralajmëroi për qëndrimin e Moskës, duke thënë se Rusia dëshiron të “na shkatërrojë”.
Ai u bëri thirrje vendeve aleate të rrisin investimet në siguri dhe mbrojtje, veçanërisht përballë asaj që NATO e konsideron si rritje të kërcënimeve hibride dhe aktiviteteve armiqësore. Rusia rrit edhe rekrutimin ushtarak Në të njëjtën kohë, Rusia ka ndërmarrë hapa të rinj për forcimin e kapaciteteve të saj ushtarake.
Sipas raportimit, presidenti rus Vladimir Putin ka nxjerrë një urdhër të ri ekzekutiv për rekrutimin e 15 mijë e 500 ushtarëve shtesë. Zhvillimet vijnë në një periudhë të tensionuar për marrëdhëniet mes Rusisë dhe NATO-s, ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon dhe retorika mes Moskës dhe vendeve perëndimore është ashpërsuar.
Paralajmërimi rus për përdorimin e armëve bërthamore në rast të izolimit të Kaliningradit shton një tjetër element të rrezikshëm në përplasjen mes dy palëve. / La Repubblica
