Qeveria rialokon 102 milionë euro për paga e pensione, Murati tregon

0%

Qeveria e Kosovës ka miratuar projektligjin për rialokimin e 102 milionë eurove në buxhet, mjete të cilat do të përdoren për mbulimin e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik, pagesat retroaktive të shtesës për përvojën e punës, si dhe për pensionet bazike.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, gjatë mbledhjes së Qeverisë ka bërë të ditur se pjesa kryesore e mjeteve do të vendoset në kontingjencën e pagave.

Sipas tij, këto mjete do të shërbejnë për të mbuluar koston e pagës së 13-të për punonjësit e sektorit publik, ndërsa një pjesë do të përdoret për pagesat retroaktive që lidhen me diferencën e shtesës prej 0.5 për qind për përvojën e punës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Që nga ky vit, me anë të Ligjit për ndarje buxhetore e kemi mbuluar shtesën prej 0.5 për qind, mirëpo hapësira e pambuluar që ka mbetur është prej kur ka hyrë Ligji i Pagave në fuqi deri në fund të vitit të kaluar, pjesë e cila parashihet të mbulohet me këtë ndarje” , ka deklaruar Murati. 20 milionë euro për pensionet Nga fondi i rialokuar, sipas ministrit Murati, do të ndahen edhe 20 milionë euro për pensionet bazike.

Ai ka sqaruar se këto mjete nevojiten për të mbuluar rritjen e numrit të përfituesve të skemës pensionale. “Gjithashtu edhe një pjesë tjetër prej 20 milionë eurosh parashihet të dedikohet tek pensionet bazike, që të mbulohet kostoja e rritjes së natyrshme të pensionistëve ”, ka thënë Murati. Ndërkohë, Qeveria kishte ndarë edhe vitin e kaluar pagën e 13-të për punonjësit e sektorit publik.

Çfarë është shtesa prej 0.5 për qind? Shtesa prej 0.5 për qind lidhet me përvojën e punës në sektorin publik. Sipas skemës së mëparshme, punonjësit përfitonin 0.5 për qind shtesë mbi pagën bazë për secilin vit përvojë pune. Kështu, një punëtor me 10 vjet përvojë pune përfitonte shtesë prej 5 për qind mbi pagën bazë.

Me hyrjen në fuqi të Ligjit për Paga në vitin 2022, mënyra e llogaritjes së kësaj shtese ndryshoi. Për 15 vitet e para të përvojës së punës, norma u përgjysmua në 0.25 për qind për çdo vit, ndërsa pas vitit të 15-të aplikohej norma prej 0.5 për qind.

Rialokimi i miratuar nga Qeveria synon të mbulojë edhe pjesën e pagesave retroaktive që lidhen me këtë diferencë, për periudhën nga hyrja në fuqi e Ligjit për Paga deri në fund të vitit të kaluar.

Burimi: Bota Sot