Qeveria miraton shpronësime për projekte rrugore dhe infrastrukturore

0%

Qeveria e Kosovës ka miratuar një varg vendimesh për shpronësimin e pronave të paluajtshme për interes publik, të cilat preken nga projekte të ndryshme infrastrukturore në disa komuna të vendit. Në mesin e vendimeve të miratuara janë shpronësime për zgjerimin e rrugëve nacionale, rehabilitimin dhe sanimin e rrugëve, ndërtimin e parqeve industriale, si dhe projekte të komunave në Podujevë.

Një nga vendimet përfundimtare të miratuara nga Qeveria lidhet me shpronësimin shtesë të pronave në zonat kadastrale Ferizaj dhe Talinoc i Jerlive, të cilat preken nga realizimi i projektit për zgjerimin e Rrugës Nacionale N2, segmenti “Hyrja në Qytetin e Ferizajt”.

Vendim përfundimtar për shpronësim është miratuar edhe për pronat që preken nga projekti i zgjerimit të Rrugës Nacionale M25, Prishtinë–Podujevë. Shpronësimi në këtë rast përfshin prona në zonat kadastrale Bërnicë e Epërme, Bardhosh, Trudë, Lebanë, Prugoc, Besi, Vranidoll dhe Teneqsholl në Komunën e Prishtinës, si dhe Lupç i Poshtëm, Shakovicë, Lluzhan dhe Llugë në Komunën e Podujevës.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ndërkohë, Qeveria ka miratuar vendime preliminare për shpronësime që lidhen me disa projekte infrastrukturore. Njëri prej tyre ka të bëjë me rehabilitimin e rrugës rajonale R112, në segmentin Gjonaj–Bishtazhin, ku preken prona në zonën kadastrale Gjinaj, në Komunën e Prizrenit.

Vendim preliminar është marrë edhe për shpronësimin e pronave që preken nga projekti për sanimin e rrëshqitjes së dheut në rrugën Hani i Elezit–Gorancë, në zonën kadastrale Rezhancë, në Komunën e Hanit të Elezit, raproton Telegrafi.

Në Gjakovë, vendimi preliminar për shpronësim lidhet me ndërtimin e Parkut Industrial, ndërsa përfshihen prona ish-shoqërore “Virgjinia” dhe “Metaliku”, të menaxhuara dhe administruara nga Agjencia Kosovare e Privatizimit, si dhe prona private.

Vendime për shqyrtim të mëtejmë të kërkesave për shpronësim janë miratuar edhe për disa prona ish-shoqërore nën menaxhimin dhe administrimin e AKP-së, të cilat janë të nevojshme për realizimin e projekteve në Komunën e Podujevës. Në kuadër të këtyre projekteve përfshihen edhe Ndërtimi i Tregut të Kafshëve dhe Ndërtimi i Tregut të Gjelbërt në Podujevë.

Po ashtu, Qeveria ka miratuar vendimin për shqyrtimin e mëtejmë të kërkesës për shpronësim të pronave që preken nga realizimi i projektit të Autostradës “Prishtinë–Gjilan–Dheu i Bardhë”, segmenti Banullë–Bresalc. Pronat e përfshira ndodhen në zonën kadastrale Banullë, në Komunën e Lipjanit.

Një tjetër kërkesë për shpronësim që do të shqyrtohet më tej lidhet me objektin e evidentuar si “Shtëpi banimi 1935”, i cili është nën menaxhim dhe administrim të AKP-së dhe në pronësi të Komunës së Podujevës. Sipas vendimit, shpronësimi i këtij objekti është i nevojshëm për realizimin e projektit për ndërtimin e Muzeut të Qytetit të Podujevës.

Vendimet për shpronësim përbëjnë një nga hapat administrativë për sigurimin e pronave të nevojshme për realizimin e projekteve publike, ndërsa në rastet e vendimeve preliminare dhe të shqyrtimit të mëtejmë, procesi vijon në fazat e parapara ligjore. / Telegrafi

Burimi: Telegrafi