PDK-ja ka propozuar ndryshime në Ligjin për Dhomat e Specializuara, me të cilat synohen ndryshime në mënyrën e shqiptimit dhe ekzekutimit të dënimeve. Në projektligjin e propozuar, PDK-ja kërkon që dënimi maksimal që mund të shqiptohet nga Dhomat e Specializuara të kufizohet në 15 vjet burgim.
Projektligji parasheh gjithashtu që dënimet e shqiptuara nga Specialja të ekzekutohen në Kosovë, ndërsa të dënuarit të kenë mundësi të jenë subjekt i faljes presidenciale. Sipas propozimit, këto ndryshime do të preknin edhe mënyrën e ekzekutimit të dënimeve dhe raportin e tyre me institucionet e Kosovës.
Burjani: Nëse Kosova i aprovon ndryshimet atëherë BE duhet të deklarohet çka më tutje dhe si të funksionojnë këto dhoma speciale Blerim Burjani Në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” ka folur juristi Blerim Burjani. Ai vlerëson se ndryshimet e propozuara në ligjin për Dhomat e Specializuara synojnë reduktimin e kompetencave dhe mandatit të tyre, si dhe mundësojnë faljen nga presidenti.
Ai thotë se mbetet e paqartë se si do të pozicionohet BE-ja ndaj këtyre ndryshimeve dhe nëse ato do të pranohen. “Ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për dhomat speciale janë qëllime dhe objektiva tjera me krahasu me ligjin aktual në fuqi për dhomat, ligji me këto ndryshime ka disa objektiva tjera reduktimi i kompetencave, por edhe mandatit esencial për të cilat është themeluar, ligji me këto ndryshime jep mundësi për falje nga presidenti.
Ligji me ndryshime të tilla është dëshirë politike, por duhet parë se çfarë sjellje do të ketë BE, a do të vazhdojë punën e saj si deri tash të këtyre dhomave apo do të ketë pranueshmëri të këtyre ndryshimeve.
Pasojat mund të jenë politike nga BE për Kosovën së paku deri më tash nuk kemi asnjë reagim thelbësor të BE për të ditur se çfarë pasoja ka apo mund të ketë, njëherë është fazë e vëzhgimit përderisa Kuvendi e Kosovës aprovon ndryshimet, a do t’i pranojë ndryshimet BE si hisedare njëherë për njëherë nuk dihet. Çfarë do të ndodhë duhet pritur se si do të pozicionohet BE.
Ndryshimet e njëanshme janë çështje në këtë kontekst vetëm të Kosovës, pra janë të pranueshme vetëm për Kosovën”, deklaroi ai. Burjani thekson se BE-ja deri tani nuk është deklaruar për ndryshimet e propozuara, ndërsa pranimi i tyre dhe zbatimi retroaktiv, sipas tij, mbetet i paqartë dhe varet nga qëndrimi i BE-së.
“BE deri më tash vetëm ka mbështet Aktgjykimin e shkallës së parë, për tjerat nuk ka reagim fare e as për ndryshimet që synohen të bëhen nga Kosova. Nëse Kosova i aprovon ndryshimet atëherë BE duhet të deklarohet çka më tutje dhe si të funksionojnë këto dhoma speciale.
Pra njëherë për njëherë nuk dihet, tash a pranohen në mënyrë retroaktive këto ndryshime varet nga BE që është hisedare edhe normative edhe financiare e këtyre dhomave”, tha ai.
Sadiku: Kufizimi në 15 vjet duhet të jetë në përputhje me të gjithë kornizën kushtetuese dhe ligjore të Speciales Arbnor Sadiku Kurse, analisti politik, Arbnor Sadiku thotë se Kuvendi mund ta ndryshojë ligjin, por kufizimi i dënimit maksimal në 15 vjet duhet të jetë në përputhje me kornizën kushtetuese dhe ligjore të Dhomave të Specializuara.
Ai thekson se mbetet çështje nëse një ndryshim i tillë do të kishte efekt mbi procedurat dhe vendimet e Speciales. “Në parim, Kuvendi mund të ndryshojë Ligjin për Dhomat e Specializuara, por kufizimi në 15 vjet duhet të jetë në përputhje me të gjithë kornizën kushtetuese dhe ligjore të Speciales.
Vetë Dhomat e Specializuara kanë theksuar se Ligji 05/L-053 është ligji detyrues për caktimin e dënimeve. Pra, nuk është e mjaftueshme vetëm të thuhet se me një ligj të ri “maksimumi është 15 vjet”; duhet parë nëse një ndryshim i tillë mund të prodhojë efekt mbi procedurat dhe vendimet e Speciales ”, tha ai.
Krahas kësaj, Sadiku thotë se Kuvendi ka kompetencë ligjvënëse, por ndryshimet që prekin substancialisht mandatin dhe funksionimin e Speciales mund të përballen me kufizime kushtetuese dhe nuk hyjnë automatikisht në fuqi vetëm me votimin e tyre.
“Kuvendi ka kompetencë ligjvënëse, por kjo kompetencë kufizohet nga neni 162 i Kushtetutës dhe nga Exchange of Letters që është pjesë e bazës juridike të Speciales. Vetë Ligji 05/L-053 është miratuar pikërisht në bazë të ndryshimit kushtetues që krijoi nenin 162.
Prandaj, një ndryshim që prek substancialisht mandatin, kompetencat ose mënyrën e funksionimit të Speciales mund të përballet me problem kushtetues dhe nuk mund të supozohet se hyn automatikisht në fuqi vetëm pse votohet në Kuvend. Edhe vetë projektligji i PDK-së parashikon shqyrtim nga Dhoma e Specializuar e Gjykatës Kushtetuese” – nënvizoi ai.
Më tej, analisti vlerëson se miratimi i ligjit nuk do të nënkuptonte automatikisht uljen e dënimeve apo ndryshimin e rasteve që janë në proces, pasi ato vazhdojnë përmes mjeteve juridike brenda sistemit të Speciales. “Këtu është problemi më i madh praktik.
Katër ish-krerët e UÇK-së janë tashmë dënuar në shkallën e parë me 25 vjet për Thaçin dhe Krasniqin, 18 vjet për Veselin dhe 13 vjet për Selimin. Këto vendime janë pjesë e një procedure gjyqësore që vazhdon përmes mjeteve juridike dhe nuk mund të ndryshohen automatikisht nga një ligj i ri i Kuvendit.
Edhe parimi lex mitior, pra zbatimi i ligjit më të favorshëm, nuk do të thotë automatikisht se një dënim ekzistues mbi 15 vjet shndërrohet në 15 vjet. Rasti Mustafa është shumë domethënës: vetë sistemi i Speciales ka trajtuar në mënyrë specifike çështjen e ligjit të zbatueshëm për dënimin dhe të mjeteve juridike brenda sistemit të saj.
Prandaj, në aspektin praktik, PDK-ja mund ta shtyjë dhe Kuvendi mund ta miratojë një nismë të tillë, por kjo nuk do të thotë se ajo automatikisht do t’i ulë dënimet e dhëna nga Specialja apo do t’i ndryshojë procedurat që tashmë janë duke u zhvilluar.
Pikërisht këtu qëndron dallimi mes një veprimi politik që i përgjigjet presionit të elektoratit dhe shoqatave të dala nga lufta, dhe një mekanizmi juridik që realisht mund të prodhojë efekt mbi vendimet e Speciales.
Nisma e PDK-së erdhi menjëherë pas aktgjykimit të 16 shtatorit dhe në një kohë kur edhe shoqatat e dala nga lufta kanë kërkuar veprim institucional” – përfundoi ai për “Bota sot”.
