Presidentja kërkon zbardhjen e plotë të vrasjes së dyfishtë në Gjilan

0%

Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka reaguar pas vrasjes së një gruaje dhe një burri, si dhe plagosjes së një personi tjetër në Livoç të Ulët të Gjilanit. Përmes një reagimi, Shiroka-Pula u ka shprehur ngushëllime familjeve të viktimave, ndërsa të plagosurit i ka uruar shërim të shpejtë.

Ajo ka theksuar se asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë marrjen e jetës së njeriut, duke vënë në pah edhe nevojën për mbrojtjen e grave nga dhuna. Shiroka-Pula u ka bërë thirrje organeve të drejtësisë që ta hetojnë rastin me përkushtim, të zbardhin të gjitha rrethanat dhe përgjegjësit t’i sjellin para drejtësisë.

“Me dhimbje të thellë mora lajmin për vrasjen e rëndë që ndodhi sot në fshatin Livoç i Ulët të komunës së Gjilanit, ku një grua dhe një burrë humbën jetën, ndërkaq një tjetër u plagos si pasojë e të shtënave me armë zjarri.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës dhe të qytetarëve të saj, shpreh ngushëllimet e mia më të thella për familjet e viktimave dhe shërim të shpejtë për të plagosurin. Asnjë rrethanë nuk mund ta justifikojë marrjen e jetës së njeriut. Askush nuk ka të drejtë t’i ekspozojë gratë ndaj rrezikut, dhunës apo vuajtjes.

Prandaj, ftoj organet e drejtësisë që ta hetojnë këtë rast me përkushtim të plotë, t’i zbardhin të gjitha rrethanat dhe t’i sjellin autorët para drejtësisë” thuhet në reagimin e publikuar nga Presidenca.

Burimi: Telegrafi