Ndryshimet e Ligjit për Specialen, politologu paralajmëron pasoja për

0%

Politologu Adnan Qaka, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, ka komentuar zgjedhjen e Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës dhe marrëveshjen politike që i parapriu këtij procesi, përfshirë miratimin e ndryshimeve dhe plotësimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara.

Ai ka kritikuar partitë politike për menaxhimin e krizës institucionale, ka ngritur shqetësime për pasojat juridike dhe ndërkombëtare të ndryshimeve ligjore, si dhe ka vlerësuar se LDK-ja ka humbur politikisht, ndërsa PDK-ja ka përfituar nga marrëveshja.

Qaka ka folur edhe për reagimet e Bashkimit Evropian dhe Gjermanisë, protestat kundër Gjykatës Speciale, sfidat që e presin presidenten e re dhe nevojën për reforma në partitë politike. Duke komentuar marrëveshjen që mundësoi zgjedhjen e presidentes, Qaka e ka cilësuar atë si pazar politik, të arritur në fund të afatit kushtetues.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Pas një ngërçi politik-idiotik të subjekteve politike-banditeske të Kosovës, më në fund, më 6 tetor, në momentin e fundit dhe ‘me kohë shtesë të afatit kushtetues’ (si në ndeshjet e futbollit), u zgjidh problemi i atij ngërçi, me një pazar politik të kushtëzuar, për të votuar më parë për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi Dhomat e Gjykatës Speciale e më pastaj, në vazhdim të seancës, për ta zgjedhur Presidentin e Republikës dhe evituar krizën e mëtejshme politike, e cila zgjati dy vjet.

Meqë afati kushtetues për zgjedhjen e Presidentit po kalonte në orën 24 të datës 6 tetor, pas arritjes së pëlqimit midis Albin Kurtit e Bedri Hamzës, për kandidaten Justina Shiroka-Pula për Presidente, ‘me shpejtësinë e inteligjencës artificiale’ u kryen procedurat formale dhe u miratua ligji i propozuar nga PDK-ja dhe u zgjodh Presidentja e Republikës” , thotë Qaka për “Bota sot”.

Politologu Adnan Qaka Ai ka përshkruar edhe reagimet pas përfundimit të procesit në Kuvend, duke shprehur kritika ndaj protestave të zhvilluara gjatë kësaj periudhe.

“Pas këtyre vendimeve mbretëroi një entuziazëm euforik dhe emocional midis deputetëve në sallën e Kuvendit dhe midis protestuesve të mashtruar e të manipuluar politikisht, të cilët mbajtën 21 ditë protesta e zhurma, pa përjashtuar edhe incidente. Mirë që u zgjodh Presidentja dhe u kompletuan institucionet e shtetit” , thekson politologu.

Qaka ka shprehur shqetësime për efektet juridike të ndryshimeve të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke paralajmëruar pasoja të mundshme në marrëdhëniet ndërkombëtare të Kosovës.

“Ndërkaq, ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit mbi Dhomat e Gjykatës Speciale, përveçse nuk kanë ndonjë efekt juridik, do të krijojnë probleme praktike në raportet e shtetit të Kosovës në marrëdhëniet ndërkombëtare.

Sepse, ajo Gjykatë, edhe pse mban emrin se është e Kosovës dhe zbaton ligjet e Kosovës, ajo ka status dhe karakter ndërkombëtar; është themeluar në marrëveshje me Bashkimin Europian dhe me faktorët ndërkombëtarë, bile me presion të fortë dhe me kërcënime të ashpra të faktorit ndërkombëtar për ta themeluar.

Prandaj, ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit, të cilat kanë të bëjnë me të drejtën procedurale (kompetencat) dhe me të drejtën materiale (kriteret dhe lartësia e dënimit), në këtë fazë të funksionimit dhe të procesit gjyqësor të asaj Gjykate, me të cilat i ngushtohet mandati dhe kompetencat lëndore, territoriale dhe kohore, janë kundër parimeve dhe normave juridike.

Bile, disa nga ato ndryshime janë edhe kontradiktore midis tyre, për shembull: në një anë bëjnë caktimin e kompetencës lëndore ekskluzive për krimet e supozuara të cekura në raportin e Dick Martit, e në anën tjetër e përkufizon mandatin kohor vetëm për periudhën prej deri më , kur dihet se raporti i Dick Martit nuk ka të bëjë asgjë me atë periudhë kohore.” Duke folur për kufizimet kohore dhe territoriale të përcaktuara në ndryshimet ligjore, politologu ka vënë në pikëpyetje përputhjen e tyre me mandatin e Gjykatës.

“Gjykata është themeluar për të gjykuar krimet e luftës, ndërsa në periudhën – nuk ishte periudhë e luftës as në Kosovë, as në rajon. Raporti i Dick Martit kishte të bënte me ‘Shtëpinë e Verdhë’, e cila gjendet në territorin e Republikës së Shqipërisë, kurse me Ligjin mbi ndryshimet dhe plotësimet bëhet kufizimi i kompetencës territoriale ekskluzivisht në territorin e Kosovës.

Është çështje tjetër që Gjykata Speciale i ka refuzuar si të paargumentuara pretendimet e Prokurorit Special në pjesën e aktakuzës që kishte të bënte me ‘Shtëpinë e Verdhë’, kështu që, në lidhje me atë pjesë të akuzës, ndryshimet e ligjit ishin të panevojshme.

Pas shqiptimit të aktgjykimit nga shkalla e parë, ndryshimi i dispozitave mbi kompetencën e gjykatës së shkallës së parë nuk ka efekt juridik ndaj aktgjykimit të shqiptuar më ”, shprehet Qaka. Qaka ka kritikuar edhe formën dhe përmbajtjen e ndryshimeve ligjore, duke pretenduar se ato nuk do të ndikojnë në procesin gjyqësor që po vazhdon në Hagë.

“Përveç diletantizmit juridik sa i përket formës, teknikës dhe përmbajtjes së ndryshimeve të ligjeve, pa i përmendur se cilat dispozita ndryshohen, plotësohen apo shfuqizohen, dhe duke qenë se ato ndryshime janë kontradiktore midis tyre, më e rëndësishmja është se ato ndryshime nuk kanë kurrfarë efekti juridik në funksionimin e mëtejshëm dhe në procesin gjyqësor që është duke u zhvilluar në atë Gjykatë.

Deri më tash ka përfunduar procesi vetëm në shkallën e parë, ndërsa ekzistojnë edhe tri shkallë të tjera deri në përfundimin e tërë procesit, po qe se, në kushte të caktuara juridike, nuk përfundohet në Panelin e Apelit. Ligji për Gjykatën Speciale ishte një lojë politike, pa efekte juridike e me pasoja praktike!

Të shohim si do të reagojë tash ndaj atij ligji Paneli i Gjykatës Kushtetuese të Dhomave të Specializuara, në Hagë, dhe e pamë vetë Bashkimin Europian se si reagoi, si palë në marrëveshjen për themelimin dhe financimin e asaj Gjykate, dhe do të shohim edhe reagimin e faktorëve të tjerë ndërkombëtarë” , nënvizon ai.

Ai ka përmendur reagimin e Bashkimit Evropian dhe dënimin e veprimit nga Ambasada e Gjermanisë në Kosovë. “Bashkimi Europian ka thënë se është thellësisht i shqetësuar nga ndryshimet dhe plotësimet e ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat, sipas zyrtarëve të Brukselit, bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.

Ligji u votua natën e së martës, pak para se Kuvendi të zgjidhte Justina Shiroka-Pulën në krye të shtetit të Kosovës. ‘Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrave të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimin për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë’, deklaroi zëdhënësi i BE-së, Christian Wiegand.

Po ashtu, këtë veprim të Parlamentit të Kosovës e dënoi edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë. Këto zhvillime në Parlament ndodhën pas protestave të vazhdueshme kundër qeverisë dhe patën efekte negative”, thekson Qaka. Sipas tij, protestat dhe presioni për ndryshimin e ligjit mund të krijojnë probleme për Kosovën në raport me partnerët ndërkombëtarë.

“Presioni i protestuesve kundër qeverisë së Kosovës, për ta detyruar të iniciojë ndryshimin e ligjit mbi Gjykatën Speciale, tashmë mund të krijojë probleme të mëdha për shtetin e Kosovës.

Sepse Kosova do të ketë presion të madh ndërkombëtar që të mos marrë asnjë vendim për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për Gjykatën Speciale, dhe kjo mund ta vërë Kosovën në izolim dhe kriza të thella ndërkombëtare dhe sanksione.

Protestat kundër vendimit të Gjykatës Speciale, të cilën vetë e ka krijuar Kosova, janë imazh i keq që i tregon botës se Kosova nuk e respekton sundimin e ligjit dhe nuk i respekton vendimet e institucioneve të veta kushtetuese.” Në vlerësimin e Qakes, LDK-ja ka gabuar me qëndrimin e saj politik, ndërsa PDK-ja është përfituesja më e madhe e marrëveshjes.

“Kurse, sa i përket zgjedhjes së Presidentes së Kosovës, mendoj se këtu politikisht LDK-ja ka vepruar shumë gabim. Me këtë rast dëshmohet qartë se disa oponentë kryesorë në LDK, sidomos nënkryetari i Kuvendit të Kosovës, Kujtim Shala, po e pengojnë fuqizimin e kësaj partie, duke u bërë në vazhdimësi patericë e PDK-së dhe duke marrë qëndrime politike të dëmshme për LDK-në dhe interesin kombëtar.

LDK-ja është dashur ta votojë më par kandidatin e dakorduar me VV-në për kryetar të shtetit, dhe politikisht mendoj që LDK-ja do të jetë humbësja më e madhe në këto zhvillime të fundit politike dhe se asaj i duhen reforma rrënjësore.

Kurse PDK-në e shoh si fituesen më të madhe, sepse PDK-ja, nëse do të shkonim prapë në zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk ka mundësi të rivalizojë denjësisht VV-në dhe prapë do të pësonte debakël ajo dhe subjektet e tjera politike.

Me këtë rast, me këtë pazar politik, së pari do të mundohet të konsolidohet dhe, pse është shumë e dobësuar, ka mungesë kuadrosh të mirëfillta intelektuale dhe me vlera kombëtare.

I duhen reformat, si dhe mendoj se PDK-ja tashmë e ka edhe postin e Presidentes, edhe pse ajo tashmë nuk është de jure anëtare e PDK-së, ka qenë më parë ish-ministre dhe deputete nga Partia Demokratike e Kosovës dhe tani ishte kryetare e Akademisë se shkencave të Kosovës.

Por mendoj se ajo do të jetë e dirigjuar nga oponentë të ndryshëm me ndikim nga ish-partia që i ka takuar më parë, pra nga PDK-ja.” Në fund, politologu i ka uruar suksese presidentes së re, por ka shprehur rezerva për rezultatet e saj dhe ka kërkuar përgjegjësi nga të gjitha partitë për krizën e zgjatur politike.

“Kryetares së re i uroj postin e Presidentes, duke i dëshiruar sukses në detyrën e re të saj, edhe pse jam shumë skeptik në angazhimin dhe rezultatet e saja që do të ketë. Pres pak sukses nga ajo në këtë post për shumë arsye.

Megjithatë, e rëndësishmja për shtetin e Kosovës është që tashmë shteti, pas dy vitesh krizash të thella politike, tashmë të ketë një stabilitet se paku të përkohshëm politik dhe të mos kemi zgjedhje të reja.

Dhe se më në fund, pas kësaj krize të thellë politike, me faj të të gjitha partive politike parlamentare, ku të gjitha dëshmuan qartë se nuk punojnë për interesin kombëtar, për dy vite e dëmtuan mjaft shtetin e Kosovës dhe imazhin e saj ndërkombëtar”, përfundon politologu.

Burimi: Bota Sot