Mbi 20 mijë njehsorë inteligjentë instalohen në veri, investim 3.3

0%

Bashkimi Evropian ka përfunduar një projekt në vlerë prej 3.3 milionë eurosh për furnizimin me njehsorë inteligjentë të energjisë elektrike në katër komunat veriore të Kosovës. Përfundimi i projektit u shënua të mërkurën në Mitrovicën e Veriut nga Bashkimi Evropian në Kosovë, së bashku me Kompaninë Kosovare për Distribuim të Energjisë Elektrike (KEDS) dhe Elektroseverin.

Sipas njoftimit, projekti është financuar nga BE-ja dhe ka për qëllim avancimin e zbatimit të marrëveshjeve për energjinë të arritura ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në kuadër të Dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Projekti lidhet drejtpërdrejt me zbatimin e Udhërrëfyesit për Zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë, i dakorduar nga Kosova dhe Serbia në vitin 2022.

Ky udhërrëfyes synon adresimin e çështjes së furnizimit dhe faturimit të energjisë elektrike në komunat veriore të Kosovës, një problem që kishte mbetur i pazgjidhur për vite me radhë. Gjatë viteve 2025 dhe 2026, Elektroseveri dhe KEDS-i kanë bashkëpunuar në instalimin e njehsorëve të rinj.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas të dhënave të publikuara, deri më tani janë instaluar mbi 20 mijë njehsorë inteligjentë në amvisëri dhe biznese në veri të vendit. Njehsorët e rinj mundësojnë matjen më të saktë të konsumit të energjisë elektrike dhe faturimin sipas konsumit të regjistruar.

Po ashtu, sipas BE-së, sistemi i ri mundëson monitorim më të mirë të konsumit dhe pritet të kontribuojë në rritjen e transparencës dhe qëndrueshmërisë së furnizimit me energji elektrike. Bashkimi Evropian ka vlerësuar se projekti është një shembull se si marrëveshjet e arritura në kuadër të Dialogut Kosovë-Serbi mund të prodhojnë rezultate konkrete në terren.

“Projekti dëshmon se si marrëveshjet e arritura përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja mund të shndërrohen në përmirësime praktike në terren”, thuhet në njoftim.

BE-ja ka ritheksuar se mbetet e përkushtuar në mbështetjen e zbatimit të marrëveshjeve të arritura në Dialog, si dhe të zgjidhjeve që, sipas saj, sjellin përfitime për qytetarët dhe kontribuojnë në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Burimi: Telegrafi