Mario Mitaj bëri rikthimin në fushë në ndeshjen që Shqipëria fitoi 0-3 në transfertë përballë San Marinos mbrëmjen e djeshme. Mbrojtësi i krahut të majtë e nisi që nga minuta e parë dhe luajti përgjatë 90 minutave, ndërsa pas sfidës, foli në një prononcim për kanalin e FSHF TV. “Ishte një kujtim shumë i bukur. Ishte grumbullimi i parë me Kombëtaren A.
E mbaj mend kur e mora ftesën isha shumë i lumtur dhe nuk e prisja që do të debutoja. E mbaj mend si tani këtë ndeshje, luajta 5 minutat e fundit. Jam shumë i lumtur që u riktheva në këtë stadium dhe këtë herë luajta 90 minuta. Ishte një ndeshje shumë e mirë. Bëmë një ndeshje shumë të fortë përballë një kundërshtari që nuk është i lehtë sepse mbrojnë shumë dhe të bezdisin shumë.
Nuk të japin hapësira të luash. Por ne luajtëm shumë mirë dhe dominuam ndeshjen dhe besoj se kjo fitore do na shërbejë shumë për të ardhmen. Normalisht që do jetë një ndeshje shumë e fortë. Finlanda është një nga favoritet në këtë grup me ne bashkë dhe mezi po pres të luajmë në ndeshjen e radhës” , tha Mitaj..
