LEX | “Fillimisht postier, pastaj me rroba policie duke torturuar

0%

Dëshmitari Bekim Bobani ka dëshmuar përmes videolidhjes nga Londra në gjykimin ndaj Jusuf Shujakut, i akuzuar për krime lufte kundër popullsisë civile. Ai deklaroi se të akuzuarin e kishte parë çdo ditë në Gjakovë, ndonëse nuk e njihte nga afër. Duke iu referuar muajve prill, maj dhe qershor të vitit 1999, Bobani tha se Shujakun e kishte parë të veshur me rroba ngjyrë të kaltër të mbyllët.

Sipas dëshmitarit, ai fillimisht kishte punuar si postier, ndërsa më pas e kishin parë me rroba të policisë. Gjatë dëshmisë, Bobani deklaroi se kishte dijeni që i akuzuari kishte torturuar njerëz. Në një moment, dëshmitari u shfaq dukshëm i shqetësuar. Trupi gjykues e pyeti nëse ndihej mirë dhe i ofroi mundësinë që seanca të ndërpritej për pushim.

Dëshmia e tij u mor në praninë e një gjyqtari të qarkut në Londër, sipas procedurave atje dhe në bashkëpunim me Gjykatën Themelore në Prishtinë. Kjo mundësoi që Bobani të dëshmonte nga Mbretëria e Bashkuar, pavarësisht pamundësisë për të ardhur në Kosovë. Seanca u udhëhoq nga kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Lutfi Shala, me anëtarët Violeta Namani dhe Vesel Ismajli.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Kryetari i trupit gjykues, gjyqtari Lutfi Shala e falënderoi gjyqtarin nga Mbretëria e Bashkuar për bashkëpunimin në marrjen e dëshmisë dhe kontributin në zbardhjen e plotë të çështjes. Shujaku po gjykohet lidhur me akuzat për krime lufte ndaj popullsisë civile në rajonin e Gjakovës.

Ai është deklaruar i pafajshëm për akuzat ndaj tij Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com