Gjykata Kushtetuese e Kosovës e ka shpallur të papranueshme kërkesën e një babai që pretendonte se nuk po zbatohej aktgjykimi për kontaktin me fëmijën e tij. Gjykata konstatoi se ai nuk e kishte shfrytëzuar procedurën përmbarimore për të kërkuar zbatimin e vendimit, ndërsa pretendimet e tjera ishin paraqitur jashtë afatit ligjor.
Aktvendimi në rastin KI110/25, me parashtrues B.I., është marrë më dhe është publikuar më 30 shtator. Rasti lidhet me procedurën e shkurorëzimit ndërmjet B.I. dhe A.I., gjatë së cilës gjykatat kishin vendosur edhe për kujdesin ndaj fëmijës së mitur, alimentacionin dhe kontaktin me babanë.
Gjykata Themelore ia kishte besuar fëmijën nënës për ruajtje dhe edukim, kishte caktuar detyrimin e babait për alimentacion dhe kishte rregulluar takimet me fëmijën. Qendra për Punë Sociale në Prishtinë ishte obliguar t’i mbikëqyrte këto takime.
Pas ankesës së babait, Gjykata e Apelit, më , e kishte ulur shumën e alimentacionit dhe e kishte kthyer në rigjykim pjesën për kontaktin, pasi mënyra dhe koha e takimeve nuk ishin përcaktuar qartë. Në rigjykim, më , Themelorja kishte përcaktuar mënyrën e realizimit të kontaktit dhe sërish e kishte obliguar Qendrën për Punë Sociale ta mbikëqyrte zbatimin.
Aktgjykimi ishte bërë i plotfuqishëm më . Në fillim të vitit 2025, babai iu drejtua disa institucioneve duke kërkuar veprime për realizimin e kontaktit me fëmijën. Avokati i Popullit, më , e kishte këshilluar që t’i drejtohej Gjykatës Themelore me propozim për ekzekutimin e aktgjykimit.
Sipas përmbledhjes së rastit, B.I. ishte përgjigjur se nuk e kishte paraqitur këtë propozim, pasi konsideronte se nuk do të ishte efektiv. Kushtetuesja vlerësoi se ai kishte në dispozicion një mjet juridik efektiv përmes procedurës përmbarimore, por nuk kishte dëshmuar se e kishte shfrytëzuar atë.
Për këtë arsye, pretendimi për moszbatimin e aktgjykimit u shpall i papranueshëm për mosshterim të mjeteve juridike. Ndërkaq, pretendimet për përmbajtjen dhe mënyrën e nxjerrjes së aktgjykimit ishin dorëzuar jashtë afatit ligjor katërmujor dhe nuk u shqyrtuan në themel.
Kushtetuesja miratoi edhe kërkesën për moszbulimin e identitetit të parashtruesit , duke marrë parasysh rrethanat e rastit dhe përfshirjen e një fëmije të mitur. LEX – Drejtësia nga Sinjali Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
