Probleme të mëdha kanë goditur kombëtaren e Suedisë vetëm dy ditë para ndeshjes kundër Bosnjë-Hercegovinës në Ligën e Kombeve. Plot tre futbollistë suedezë munguan në stërvitjen e së mërkurës për shkak të simptomave të ftohjes dhe aktualisht janë të ndarë nga pjesa tjetër e ekipit.
Bëhet fjalë për Yasin Ayari, Benjamin Nygren dhe Gustaf Lagerbielke, të cilët nuk morën pjesë në stërvitjen në Bosön. Nga kombëtarja suedeze është konfirmuar se të tre lojtarët janë të sëmurë. Suedezët nuk duan t’i lënë gjërat rastësisht dhe menjëherë kanë marrë masa shtesë për të parandaluar përhapjen e mundshme të sëmundjes te lojtarët e tjerë.
Zëdhënësja e kombëtares suedeze, Petra Thoren, deklaroi: “Ata kanë simptoma të ftohjes”. Ajo shtoi se lojtarët janë izoluar: “Nuk janë me ekipin dhe po i mbajmë në izolim. Po marrim masat e nevojshme.” Në këtë moment ende nuk dihet nëse Ayari, Nygren dhe Lagerbielke do të mund të udhëtojnë me kombëtaren drejt Bosnjë-Hercegovinës.
