Rreth 890 mijë llogari të përdoruesve të platformës zvicerane të shitblerjeve online Ricardo janë prekur nga një incident i sigurisë kibernetike, pas qasjes së paautorizuar në të dhënat personale të klientëve. Sipas një njoftimi të publikuar nga kompania më , në mesin e të dhënave të ekspozuara janë emrat, adresat postare dhe numrat e telefonit të përdoruesve.
Për llogaritë e bizneseve janë ekspozuar edhe emrat e kompanive. Kompania bëri të ditur se adresat e emailit dhe fjalëkalimet nuk janë prekur nga incidenti, shkruan 20Minuten , transmeton Telegrafi. Aktiviteti i dyshimtë në serverët e platformës u zbulua më 7 tetor, pas së cilës kompania ndërmori masa teknike për të siguruar sistemet e saj.
Sipas njoftimit, dobësia e sigurisë që mundësoi qasjen e paautorizuar është eliminuar. Ricardo ka nisur të njoftojë drejtpërdrejt përdoruesit e prekur për incidentin dhe masat që duhet të ndërmarrin.
Kompania ka njoftuar gjithashtu autoritetin zviceran për mbrojtjen e të dhënave dhe Qendrën Kombëtare të Sigurisë Kibernetike, ndërsa ka bërë të ditur se do të paraqesë kallëzim penal në polici.
Incidenti ngre shqetësime për privatësinë e qindra mijëra përdoruesve, pasi të dhënat e ekspozuara mund të keqpërdoren për mashtrime online, mesazhe të rreme dhe tentativa për vjedhjen e identitetit. Përdoruesve u rekomandohet të tregojnë kujdes ndaj telefonatave dhe mesazheve të dyshimta, veçanërisht atyre që kërkojnë të dhëna personale ose informacione bankare.
