Ka skuadra që ndërtohen me rezultate. Ka skuadra që ndërtohen me ide. Kombëtarja shqiptare e fundvitit 2025 ishte të dyja. Ishte një ekip që nuk fitonte vetëm sepse kishte lojtarë cilësorë, por sepse secili e dinte vendin e tij.
Hierarkitë nuk diskutoheshin, formacioni lexohej pothuajse përmendësh dhe kundërshtarët e dinin se Shqipëria e Silvinjos ishte bërë një skuadër që nuk thyhej lehtë. Por futbolli nuk njeh kujtesë. Ai njeh vetëm të tashmen. Sot, në epokën e Rolando Maranit, Kombëtarja po hyn në një cikël tjetër.
Jo sepse gjithçka e vjetër duhet rrëzuar, por sepse çdo trajner ka mënyrën e tij për të ndërtuar pushtetin brenda një skuadre. Dhe pushteti në futboll fillon gjithmonë nga zgjedhjet. Dy ndeshje dhe dy fitore në Ligën e Kombeve. Dëmtimet e Strakoshës, Ajetit dhe Laçit kanë hapur dyer që deri dje dukeshin të mbyllura. Rikthimi i Etrit Berishës nuk është vetëm një alternativë.
Është një dilemë për trajnerin, sepse përvoja ka gjithmonë një argument që mosha nuk ia heq dot. Në qendër të mbrojtjes, Ismajli mbetet garancia që nuk ka nevojë për prezantim. Ndërsa Laçi, kur të rikthehet, do të ketë ende armën që nuk blihet në merkato: kilometrat që nuk mbarojnë kurrë. Gjimshiti, Hysaj, Asllani, Hoxha, Uzuni dhe Manaj mbeten kolonat që nuk janë lëkundur.
Por as ata nuk janë më të paprekshëm. Shehu, i cili kishte fituar terren deri në pikën sa ta ulte Ramadanin në stol, sot duhet ta mbrojë atë vend. Mitaj e sheh nga afër konkurrencën e Pilos, ndërsa në krahun e sulmit gara është bërë edhe më e ashpër.
Ernest Muçi po fiton gjithnjë e më shumë hapësirë në projektin e Maranit, Anis Mehmeti po troket fort me paraqitjet e tij, ndërsa Seferi vazhdon të refuzojë dorëzimin. Kjo nuk është krizë. Është konkurrencë. Në nëntor do të vijë edhe një tjetër provë. Do të shihet nëse Nedim Bajrami dhe Armando Broja do të rikthehen në listë apo do të mbeten sërish jashtë saj.
Por nëse ata rikthehen, këtë herë nuk do ti presë më vendi që lanë pas. Do i presë konkurrenca. Sepse çdo trajner, në fund, shkruan historinë e tij. Silvinjo ndërtoi një ekip. Maran po përpiqet të ndërtojë një tjetër. Shqipëria po kalon një proces rikonfigurimi. Është hera e parë që nga janari i vitit 2023 që Shqipëria po nis ta ndërtojë veten pothuajse nga e para.
Në Kombëtare, çdo cikël ka fundin e vet. Dhe çdo fillim kërkon guximin për të sfiduar atë që dukej e paprekshme.
