Chevrolet ka prezantuar një sërë ndryshimesh për dy SUV-të e saj më të përballueshme, Trax dhe Trailblazer, për vitin model 2027. Përditësimet përfshijnë më shumë se 20 sisteme standarde të sigurisë, ekrane më të mëdha, teknologjinë Google me inteligjencën artificiale Gemini dhe një version të ri të Trailblazer, të orientuar drejt aventurave jashtë asfaltit.
Të dy modelet pritet të mbërrijnë te shitësit në pranverën e vitit 2027, me dizajn të rifreskuar dhe arkitekturë të përmirësuar elektrike e softuerike. Ndryshimet vijnë pas një viti rekord për shitjet e këtyre dy modeleve. Sipas Chevrolet, gjatë këtij viti kompania ka dorëzuar më shumë se 250 mijë automjete Trax dhe Trailblazer së bashku.
Përmirësimet në sistemet elektronike mundësojnë integrimin e mbi 20 funksioneve standarde të sigurisë dhe asistencës për drejtuesin. Ndër risitë janë frenimi automatik gjatë lëvizjes prapa, paralajmërimi për çiklistët në anët e automjetit, frenimi në rast të trafikut kryq prapa, asistenca e parkimit përpara dhe frenimi automatik emergjent në kryqëzime.
Të dy modelet ruajnë gjithashtu sisteme si kontrolli adaptiv i shpejtësisë, sensorët e parkimit përpara dhe prapa, sedilja që sinjalizon rrezikun përmes dridhjeve dhe asistenca për drejtimin në zonat e pikave të verbra, transmeton Telegrafi. Në kabinë, Chevrolet ka vendosur si pajisje standarde një ekran 11-inç për informacionet e drejtuesit dhe një ekran multimedial 11.3-inç.
Sistemi përfshin Google të integruar me Gemini, duke mundësuar përdorimin e shërbimeve dhe funksioneve inteligjente përmes sistemit të automjetit. Blerësit do të përfitojnë gjithashtu 12 muaj shërbim OnStar One, i cili përfshin mundësinë e përdorimit të internetit Wi-Fi në automjet dhe transmetimit të videove, krahas shërbimeve të zakonshme të OnStar.
Për vitin 2027, Trax do të ofrohet në tri nivele pajisjesh: versioni bazë, RS dhe Activ. Chevrolet thotë se modeli vazhdon të jetë ndër më të rëndësishmit në segmentin e tij, duke përbërë rreth një të pestën e vëllimit të shitjeve të kompanisë në këtë kategori.
Ndryshimet e jashtme për Trax përfshijnë grilë të re, rrota të ridizajnuara, drita të pasme tërësisht LED dhe derë të pasme të rifreskuar. Për herë të parë, modeli do të ofrojë edhe derë bagazhi me hapje elektrike.
Secili version ka veçori të veçanta: modeli bazë merr rrota me kontrast më të theksuar, RS pajiset me rrota 19-inç, më të mëdhatë në gamë, ndërsa Activ ruan dizajnin e veçantë të pjesës së përparme. Një ngjyrë e re për kabinën, Storm Sky Gray, do të ofrohet në të dy modelet.
Risia kryesore për Trailblazer është shtimi i versionit Z71, një emërtim që Chevrolet e përdor që nga viti 1963 dhe që debutoi në gamën e kamionçinave të mëdha të kompanisë në vitin 1988. Ky emërtim përdoret tashmë edhe në modelet Traverse, Tahoe, Suburban, Colorado dhe Silverado.
Trailblazer Z71 do të ketë sistem standard me të gjitha rrotat aktive, pezullim të përshtatur për terrene të vështira, mbrojtëse për pjesën e poshtme të automjetit dhe goma sport-terreni. Kabina do të kombinojë ngjyrat Jet Black dhe Storm Sky Gray, me detaje portokalli. Trailblazer do të marrë gjithashtu një kabinë të ridizajnuar, ku leva e marsheve është zhvendosur në kolonën e timonit.
Ky ndryshim liron hapësirë në konsolën qendrore, e cila tani ka mbajtëse gotash të tërheqshme dhe më shumë hapësirë për ruajtjen e sendeve. Ridizajnimi ka mundësuar edhe shtimin e daljeve të ajrit për pasagjerët e pasmë, ndërsa dera e bagazhit me hapje elektrike AutoSense do të jetë e disponueshme për herë të parë në Trailblazer.
Chevrolet ende nuk ka bërë të ditura çmimet për Trax dhe Trailblazer të vitit model 2027.
