Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka përshëndetur marrëveshjen e arritur mes subjekteve politike shqiptare të Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës për të garuar me një listë të përbashkët në zgjedhjet parlamentare të Serbisë. Në një reagim në rrjetet sociale, Berisha e ka cilësuar marrëveshjen si një zhvillim që, sipas tij, është në interes të shqiptarëve të këtyre komunave.
“Një marrëveshje për t’u përshëndetur!”, ka shkruar Berisha, duke iu referuar dakordimit për pjesëmarrjen në zgjedhje me listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”. Ai u ka bërë thirrje shqiptarëve që jetojnë në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe atyre në emigracion, që të marrin pjesë në zgjedhje, me synimin për të siguruar përfaqësim politik sa më të madh të komunitetit shqiptar.
“Partia Demokratike përshëndet këtë marrëveshje që është dhe interesi më i mirë i shqiptarëve në këto komuna të Serbisë të banuara nga shqiptarë që ende janë dhe qytetarët, minoriteti më i shtypur në Europë nga regjimi i Beogradit!” Berisha ka deklaruar gjithashtu se Partia Demokratike u bën thirrje shqiptarëve rezidentë në këto komuna dhe atyre në emigracion që të marrin pjesë në zgjedhje.
“Partia Demokratike u bën thirrje të gjithë shqiptarëve rezidentë në këto komuna apo në emigracion të marrin pjesë në këto zgjedhje për të siguruar përfaqësimin më të mirë të mundshëm të shqiptarëve të komunave të tyre” , ka shkruar ai.
Marrëveshja për “Koalicionin Shqiptar” u arrit në Prishtinë, në prani të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, mes përfaqësuesve të subjekteve politike shqiptare nga Presheva, Bujanoci dhe Medvegja. Lista e përbashkët synon pjesëmarrjen në zgjedhjet parlamentare të Serbisë të 25 tetorit.
