Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Egzon Azemi, ka hedhur poshtë akuzat e kryetarit të Prishtinës, Përparim Rama se përgjegjësia për situatën financiare të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) bie mbi qeverisjen e Vetëvendosjes. Ai ka thënë se LVV-ja e ka kundërshtuar marrëveshjen e bashkinvestimit dhe ka paralajmëruar për pasojat që mund t’i shkaktoheshin ndërmarrjes.
“Dihet qartë që LVV-ja e ka kundërshtuar këtë proces që nga dita e parë. Që nga viti 2018 kemi paralajmëruar se drejtorët e Shpend Ahmetit po falsifikojnë dokumente dhe NPB-ja është në rrezik. Është e vetmja LVV-ja që ka alarmuar për rrezikun që po i kanosej në NPB”, ka deklaruar ai.
Sipas Azemit, përpjekjet për të adresuar këtë çështje në Kuvendin Komunal të Prishtinës janë penguar nga partitë e tjera politike. Ai e ka akuzuar Ramën se nuk ka ndërmarrë veprime të mjaftueshme për mbrojtjen e interesave të NPB-së. “Për më shumë se katër vjet PDK-ja ka pasur rol vendimtar në NPB. Kronologjia është e qartë, LVV-ja e kundërshtoi këtë marrëveshje të dyshimtë.
Edhe një herë po dëshmohet se kur bëhet fjalë për interesa të ngushta, këta bëhen bashkë sepse në realitet janë bashkë” , ka thënë ai. Ndryshe, kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka fajësuar qeverisjen e Lëvizjes Vetëvendosje për bllokimin e llogarive të Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).
Sipas vendimit të Gjykatës Komerciale, NPB-ja duhet t’u paguajë tri kompanive private rreth 32 milionë euro për fitimin e humbur. Rama ka deklaruar se kontrata nga e cila rrjedh kjo çështje ishte nënshkruar para mandatit të tij, ndërsa gjatë qeverisjes së tij ishte kërkuar që ajo të hetohej.
Çështja buron nga një marrëveshje bashkinvestimi e vitit 2021 ndërmjet NPB-së dhe tri kompanive private për ndërtimin e një kompleksi banesor dhe afarist në Lakrishtë. Projekti, i cili parashihte ndërtimin e pesë objekteve, nuk u realizua dhe mosmarrëveshja mes palëve përfundoi në procedurë gjyqësore.
