Agjencia për Media dhe Informim pranë Këshillit të Ministrave reagoi sot në lidhje me një postim të deputetes së Partisë Demokratike, Jorida Tabaku, e cila kishte ripostuar në rrjetin social “X” në status të Kryeministrit Edi Rama. Sipas MIA-s, Tabaku ka ripostuar një status të paqenë, të atribuar në mënyrë të rreme Kryeministrit Edi Rama.
Agjencia për Media dhe Informim i bëri thirrje Tabakut që ta tërheqë ripostimin dhe të kërkojë ndjesë ndaj personave që mund të jenë ndikuar nga përmbajtja e falsifikuar. “Do të ishte e udhës që, për hir të së vërtetës dhe respektit ndaj publikut, znj. Tabaku ta tërhiqte këtë ripostim dhe t’u kërkonte ndjesë të gjithë atyre që mund të kenë rënë në kurthin e këtij falsifikimi”, theksoi MIA.
Në vijim, MIA sqaron opinionin publik dhe median se përmbajtja e tekstit të shpërndarë nuk është e vërtetë dhe nuk i përket Kryeministrit Edi Rama. “Në sqarim të medias dhe opinionit publik, bëjmë me dije se përmbajtja e atij teksti nuk ka asgjë të vërtetë dhe nuk është publikuar nga Kryeministri Edi Rama”, thekson MIA.
Sipas MIA-s, raste të tilla përbëjnë përpjekje për të fabrikuar deklarata dhe për t’ua atribuar ato zyrtarëve publikë, duke i cilësuar si shembuj të keqinformimit me synim manipulimin e opinionit publik. “Përpjekje të tilla për të fabrikuar deklarata dhe për t’ua atribuar ato zyrtarëve publikë janë një tjetër shembull i keqinformimit që synon të manipulojë opinionin publik”, theksoi MIA.
