Zyra Kombëtare e Auditorit (ZKA) ka konstatuar në raportin e saj se Komuna e Ferizajt nuk ka menaxhuar në mënyrë efikase dhënien e lejeve të ndërtimit, duke evidentuar edhe tejkalim të koeficientit të ndërtimit në qytetin me zhvillim të madh të ndërtimeve shumëkatëshe të afarizmit dhe banimit kolektiv.
Në raportin “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Ferizaj” , të publikuar më , auditorët e ZKA-së shkruajnë se dhënia e lejeve ndërtimore nuk është menaxhuar në mënyrë efektive nga Komuna e Ferizajt për shkak të mungesës së Hartës Zonale, moszbatimit konsistent të planeve rregulluese, mungesës së një procesi të standardizuar për shqyrtimin e aplikacioneve dhe kontrollit të pamjaftueshëm para lëshimit të lejeve.
“Si pasojë, aplikimet janë trajtuar me kritere të ndryshme, duke lejuar tejkalim të koeficientit të ndërtimit, trajtim jo të barabartë të investitorëve dhe lëshim të lejeve pa dokumentacion teknik të plotë”, thuhet në raport.
Objektivi i auditimit ishte të vlerësohej nëse Komuna e Ferizajt ka menaxhuar në mënyrë efektive procesin nga shqyrtimi i aplikacioneve për leje ndërtimore deri te inspektimi dhe pajisja me certifikatë të përdorimit, si dhe nëse ka siguruar transparencë në këtë proces.
“Si rezultat, ndërtimet e larta në Komunë të Ferizajt janë zhvilluar në mënyrë jo të njëtrajtshme dhe me pasoja afatgjata në cilësinë e hapësirës urbane sepse nuk reflekton nevojat e qytetarëve dhe ka cenuar hapësirën publike”, thuhet në përmbledhjen e përgjithshme të ZKA-së.
Kryetari Agim Aliu e ka njoftuar ZKA-në nëpërmjet “letrës së konfirmimit” të 19 gushtit 2026 se e ka pranuar draftin e raportit.
Në pikën e dytë të letrës, Aliu ka shkruar: “Pajtohem pjesërisht me gjetjet dhe rekomandimet dhe ju kemi përcjellë komentet për përmbajtjen e raportit” si dhe zotohet në pikën e tretë se “brenda 30 ditëve nga pranimi i Raportit Final, do t’ju dorëzoj një plan të veprimit për implementimin e rekomandimeve, i cili do të përfshijë afatet kohore dhe stafin përgjegjës për implementimin e tyre”.
Me plan e pa plan Auditorët kanë vlerësuar se Komuna e Ferizajt ka lejuar ndërtimet e larta pa dokumente të planifikimit hapësinor – “lejet për ndërtim janë dhënë bazuar në Planin Zhvillimor Komunal, pa Hartë Zonale të aprovuar”.
“Edhe pse ekzistonin Plane Rregulluese Urbane, Komuna nuk i ishte bazuar në to me arsyetimin se përkojnë me Planin Zhvillimor të vjetër (të shfuqizuar), ndonëse kanë mundur të zbatohen nëse nuk binin ndesh me Planin Zhvillimor të ri.
Në vend të tyre Komuna kishte dhënë leje duke u bazuar vetëm në Ligjin për ndërtimin, sipas kriterit ‘brenda diametrit 50m’”, shkruhet në raportin e performancës së menaxhimit të lejeve ndërtimore nga Komuna e qeverisur prej Agim Aliut, i cili në zgjedhjet e 12 tetorit e fitoi pa balotazh mandatin e tretë me radhë.
“Megjithëse ky kriter është parashikuar si mekanizëm i përkohshëm për raste kur mungojnë dokumentet planifikuese, Komuna e ka interpretuar dhe zbatuar atë si praktikë të rregullt që nga viti 2017 dhe jo si një zgjidhje të i përkohshme”, shtohet në raportin e auditorëve.
Përgjigjet e Komunës së Ferizajt Në përgjigjen e Komunës së Ferizajt në raport, qeveria lokale nuk pajtohet me gjetjet e ZKA-së pasi, sipas saj “pasi baza ligjore është e qartë në lëshimin e lejeve ndërtimore dhe është respektuar 100% nga Komuna e Ferizajt, në mungesë të dokumenteve të planifikimit janë lëshuar lejet në bazë të ligjit të ndërtimit”.
“Rrjedhimisht koeficienti i ndërtimit ka përcaktuar edhe kriteret e shfrytëzimit të tokës, pasi e drejta e pronës është e mbrojtur me kushtetutën e Republikës së Kosovës dhe në sipërfaqe të ndryshme nuk mund të dalin te gjitha kushtet e njëjta”, thuhet në përgjigjen e Komunës së Ferizajt, e cila nuk është pajtuar edhe për çështjen e Hartës Zonale Komunale.
Komuna e Ferizajt ka shpjeguar se përkundër mungesës së kapaciteteve, ka bërë çmos që ky dokument planifikimi të miratohej “deri në pezullimin e procedurës nga MMPHI (Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor, Punës dhe Infrastrukturës) në nëntor të vitit 2023 dhe për këtë ju kemi përcjell të gjitha komunikimet që kemi pas me MMPHI-n”.
Qendra e Lëvizjes Vetëvendosje në Ferizaj ka reaguar me një postim në faqen e saj zyrtare në Facebook, duke listuar një mori shkeljesh, që sipas tyre, ka evidentuar raporti i ZKA-së.
“Nga ky dokument mësojmë për një mori shkeljesh të ligjit e të procedurave gjatë ndërtimeve të larta çka e ka shkaktuar këtë krim urbanistik e që gradualisht po e ngulfatë jetën e qytetarit sidomos në zonat urbane”, shkruan në reagimin e Lëvizjes Vetëvendosje, në opozitë në Ferizajn e qeverisur nga koalicioni PDK-Aleancë-Ne Mundemi.
Flamur Istrefi, anëtar i Kryesisë së Degës së LDK-së në opozitë në Ferizaj, ka thënë zyrtarët komunalë duhet të japin përgjegjësi pas gjetjeve të raportit të ZKA-së. “Këto pra nuk janë akuza të opozitës. Këto janë gjetje të Zyrës Kombëtare të Auditimit!
Dhe tani pyetja është e thjeshtë: Kush do të mbaj përgjegjësi?” – ka shkruar ai menjëherë pas publikimit të raportit në faqen zyrtare të ZKA-së. “Rolet kanë qenë të qarta: dikush ka dhënë leje, dikush ka pasur obligim të kontrollojë dhe dikush ka zgjedhur të mos veprojë”, ka shkruar ai.
Në raportin “Efikasiteti dhe efektiviteti në procesin e ndërtimeve të larta në Ferizaj” thuhet se Zyra e Inspektoratit nuk ka kryer inspektime të rregullta në të gjitha fazat e ndërtimit. Auditorët kanë gjetur se edhe pse janë shqiptuar gjoba dhe kallëzime penale, ato nuk kanë arritur efektin e synuar.
“Janë lëshuar numër i kufizuar i certifikatave të përdorimit dhe inspektimi final nuk ka qenë efektiv për të vërtetuar sigurinë e objekteve dhe përputhjen e tyre me lejen e dhënë. Për më tepër, mungesa e publikimit të plotë të të dhënave për lejet ndërtimore ka kufizuar transparencën dhe informimin e qytetarëve”, thuhet në raport e auditorëve.
Në përgjigjen e Komunës së Ferizajt thuhet se në kuadër të masave të parapara ligjore, inspektorët kanë kryer të gjitha veprimet e nevojshme “të parapara me legjislacionin në fuqi, porse “për procedurat tjera janë organet tjera kompetente dhe inspektorët nuk kanë lënë mekanizma të veprimit që nuk i kanë shfrytëzuar”.
“Inspektorati i ka marrë të gjitha masat dhe ka bërë kallëzimin penal”, thuhet në përgjigjet për ZKA-në. Opozita kërkon hetim Qendra e VV-së në Ferizaj shkruan se raporti i ZKA-së ka vërtetuar se transparenca e pamjaftueshme kufizoi qasjen e qytetarëve në vendimmarrje dhe se uebfaqja e Komunës së Ferizajt nuk ofron informata të rëndësishme për lejet, certifikatat e përdorimit dhe trajtimin e ankesave.
“Komuna nuk ka siguruar dëshmi se ka publikuar ftesë qytetarëve për konsultim lidhur me dokumentet e planifikimit hapësinor dhe se të njëjtat i ka mbajtur; Prandaj edhe po bërtasin dhe kanë thirrë protesta para qeverisë me 1 shtator!
Duan t’a fshehin krimin e shkaktuar dhe t’ia faturojnë tjetërkujt”, thuhet në reagimin e VV-së, kuvendarët e së cilës edhe në seanca të Kuvendit Komunal i kanë kërkuar Prokurorisë Themelore të Ferizajt që t’i hetojë lejet ndërtimore.
Auditorët i kanë rekomanduar kryetarit që me rastin e hartimit të Planit të ri Zhvillimor të Komunës, Hartës Zonale ekipi i përfshirë në hartim të jetë kompetent dhe profesional duke marrë për bazë çdo faktorë që ndikon në cilësinë dhe sigurinë e jetës në qytet; në interes të publikut.
Ndërkaq edhe Ministrisë së Mjedisit i është rekomanduar që ofrojë mbështetje më të strukturuar për komunat në procesin e hartimit të dokumenteve planifikuese, duke dhënë udhëzime të qarta, kontrolle periodike dhe masa për përmirësim, në rastet kur evidentohen devijime nga kërkesat e Ligjit për planifikim hapësinorë.
Istrefi, zyrtari i LDK-së, ka thënë zyrtarët që kanë pasur përgjegjësi në këto procese nuk duhet të ndihen rehat. Edhe ai ka kërkuar hetim nga Prokuroria Themelore e Ferizajt. “Nëse Prokuroria nuk reagon ndaj gjetjeve të këtij raporti, ne do të jemi të detyruar ta aktivizojmë atë përmes kallëzimeve dhe mekanizmave të tjerë institucionalë që na i njeh ligji”, ka shkruar Istrefi.
“Ferizaj nuk mund të ndërtohet mbi mungesën e planifikimit, kontrollit dhe përgjegjësisë. Kjo çështje nuk mbyllet këtu. Përkundrazi, këtu vetëm fillon!”.
