Profesori i shkencave të sigurisë, Avni Islami, ka reaguar lidhur me çështjet e sigurisë kombëtare dhe rrezikun nga spiunazhi, duke thënë se institucionet e Kosovës duhet të veprojnë me zero tolerancë ndaj elementeve që cenojnë interesat shtetërore.
Në një postim, Islami ka përmendur rastin e Vladan Kostiqit, për të cilin ka thënë se shpreh hapur admirim për kriminelët e luftës, si dhe ka ngritur shqetësime për, siç i quan ai, tendencat për ta shndërruar OSBE-në në “një fole të agjentëve rusë dhe serbë”. Sipas Islamit, misionet ndërkombëtare po tentohen të përdoren si mbulesë për agjenda destabilizuese.
Ai ka vlerësuar punën e Agjencisë së Kosovës për Inteligjencë, Policisë së Kosovës dhe Prokurorisë Speciale në luftën kundër spiunazhit. “Dy vitet e fundit kanë dëshmuar se suksesi i përbashkët i AKI-së, Policisë dhe Prokurorisë Speciale nuk është i rastësishëm, por rezultat i një strategjie të hekurt për pastrimin e vendit nga elementët subversivë”, ka shkruar Islami.
Profesori i shkencave të sigurisë ka thënë se Kosova nuk duhet të shërbejë si strehë për spiunazhin armiqësor apo për individë që, sipas tij, veprojnë kundër interesave të shtetit. “Koha e pandëshkueshmërisë ka mbaruar”, ka deklaruar Islami, duke shtuar se çdo informator, agjent apo bashkëpunëtor i shërbimeve të huaja sekrete duhet të zbulohet dhe të përballet me drejtësinë.
“Çdo informator, agjent apo bashkëpunëtor i tyre do të zbulohet, do të arrestohet dhe do të marrë dënimin e merituar”, ka shkruar ai.
