Ministri në detyrë i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, të dielën më , para fillimit të ceremonisë së diplomimit në Akademinë Ushtarake të Forcave të Armatosura të Republikës së Turqisë, takoi kadetët nga Kosova, të cilët përfunduan shkollimin në këtë akademi.
Në një njoftim për media, Ministria e Mbrojtjes theksoi se ministri në detyrë uroi nëntogerët Ramadan Rexha, Gjergj Dreni, Altin Salihaj, Elmë Ramadani dhe Admirim Ismajli për përfundimin me sukses të pesë viteve të shkollimit, përfshirë një vit të kursit përgatitor të gjuhës turke dhe katër vite të studimeve ushtarake.
Ministria e Mbrojtjes dhe Forca e Sigurisë së Kosovës, potencoi se krahas zhvillimit të kapaciteteve dhe modernizimit të forcës, kanë në fokus të veçantë arsimimin, edukimin dhe zhvillimin profesional të personelit.
“Investimi në kuadro të mirëfillta ushtarake është investim në të ardhmen e FSK-së dhe në ndërtimin e një force moderne, profesionale dhe të ndërveprueshme me ushtritë e vendeve partnere”, shkruan Ministria.
Më tej, thuhet se “shkollimi i oficerëve të FSK-së në akademitë prestigjioze të vendeve partnere, njëkohësisht, forcon lidhjet dhe bashkëpunimin ndërmjet Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe forcave të armatosura të vendeve partnere”.
Sipas njoftimit, gjatë takimit, ministri Maqedonci shprehu mirënjohjen për Republikën e Turqisë për mbështetjen e vazhdueshme që i ofron Kosovës në fushën e arsimit, trajnimit dhe zhvillimit profesional të pjesëtarëve të FSK-së.
