Gjatë kësaj jave, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, u takuan në kuadër të përpjekjeve për të gjetur një zgjidhje për çështjen e zgjedhjes së Presidentit të Kosovës.
Pas takimit, i cili zgjati më shumë se dy orë, Kurti dhe Abdixhiku folën për media, duke dhënë detaje rreth bisedimeve dhe hapave të mëtejshëm në këtë proces. Kurti tha se diskutimi mes tyre ishte i hapur, i sinqertë dhe serioz, ndërsa bëri të ditur se për herë të parë janë diskutuar edhe emra konkretë për Presidentin e ardhshëm. “Diskutimi ishte i hapur, i sinqertë dhe serioz.
Do t’i vazhdojmë bisedimet, pasi është rritur mirëbesimi dhe për herë të parë kemi diskutuar edhe për emra të veçantë. Nuk janë emra që i kemi pyetur paraprakisht nëse do të donin të ishin president apo presidente, sepse paraprakisht duhet të dakordohemi mes vete ”, u shpreh Kurti.
Ndërkaq, Abdixhiku e cilësoi kalimin te diskutimi për emrat si një hap përpara në proces, por theksoi se për shkak të ndjeshmërisë së çështjes, emrat konkretë nuk mund të bëhen publike. “Ky është një hap përpara, sepse kemi kaluar te emrat. Për shkak të ndjeshmërisë së procesit, nuk mund të diskutoj për emra konkretë, por do të takohemi sërish”, deklaroi Abdixhiku.
Kurse, analistët politikë vlerësojnë se takimi mes kryetarit të LVV-së, Albin Kurti, dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, shënon një zhvillim të rëndësishëm në procesin e zgjedhjes së Presidentit të ardhshëm të Kosovës.
Sipas tyre, fakti që në takimin mes dy liderëve janë diskutuar edhe emra konkretë dhe është përmendur kriteri që Presidenti të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale, tregon se bisedimet kanë kaluar përtej parimeve dhe kanë hyrë në një fazë më konkrete.
Ata vlerësojnë se një marrëveshje mes LVV-së dhe LDK-së për një kandidat të pranueshëm nga të dyja palët do të mund të ndihmonte në shmangien e një tjetër krize institucionale dhe të zgjedhjeve të reja.
Jakupi: Kurti dhe Abdixhiku po diskutojnë emra konkretë për Presidentin, Bislimi mund të jetë një nga hipotezat Lidhur me këtë çështje, analisti politik Zejnullah Jakupi, në një prononcim për “Bota sot”, ka vlërësuar se zhvillimi më i rëndësishëm në këtë proces është fakti se tashmë po flitet për emra të mundshëm, ndërsa si kriter është përmendur edhe mundësia që Presidenti të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale.
Zejnullah Jakupi “Mendoj se pika kryesore në këtë zhvillim është fakti se tashmë po flitet konkretisht për emra të mundshëm për Presidentin e ardhshëm të Kosovës dhe se, sipas deklarimeve publike, në takimet ndërmjet Albin Kurtit dhe Lumir Abdixhikut është diskutuar edhe kriteri që kandidati të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale.
Ky është një zhvillim i rëndësishëm, sepse tregon se bisedimet LVV–LDK nuk janë më vetëm në nivel parimesh, por duket se kanë hyrë në fazën e gjetjes së një emri konkret. Pikërisht këtu qëndron edhe pyetja më interesante: kush mund të jetë figura që mund të marrë mbështetjen e përbashkët të LVV-së dhe LDK-së?
Nëse kriteri është një President jopartiak, me integritet dhe i pranueshëm përtej një subjekti politik, atëherë duhet parë jashtë logjikës së kandidatëve klasikë partiakë.
Mund të jenë figura të njohura në jetën publike, akademike, diplomatike apo në marrëdhëniet ndërkombëtare, por nuk do ta përjashtoja as mundësinë që të jetë një emër që deri tani nuk është përmendur publikisht” , ka thënë ai. Tutje, Jakupi ka përmendur edhe emrin e Faton Bislimit, duke e cilësuar atë si një mundësi që mund të merret në konsideratë në diskutimet për një kandidat konsensual.
“Në këtë kontekst, Faton Bislimi është një nga emrat që mund të merret në konsideratë si hipotezë politike. Ai ka profil publik, njohje me rrethet amerikane dhe një dimension më të gjerë se politika e ngushtë partiake. Natyrisht, nuk mund të themi se ai është kandidati i dakorduar, sepse emrat që janë diskutuar në këto takime nuk janë bërë publikë.
Por, nëse kërkohet një figurë që mund të shihet si lidhëse dhe me orientim të qartë euroatlantik, Bislimi mund të jetë një nga emrat që ia vlen të analizohet. Edhe vizita e Jim DioGuardit në Kosovë dhe mesazhi i tij se zgjedhja e Presidentit duhet të bëhet sa më shpejt mund të shihet në kuadër të rëndësisë që partnerët ndërkombëtarë i japin stabilitetit institucional të Kosovës.
Megjithatë, do të ishte e parakohshme të thuhej se DioGuardi ka propozuar konkretisht Faton Bislimin pa një konfirmim të drejtpërdrejtë. Kjo duhet mbetur në nivel të një mundësie, jo të një fakti të konfirmuar”, ka shtuar ai. Sipas Jakupit, afrimi ndërmjet LVV-së dhe LDK-së mund të jetë vendimtar për shmangien e një tjetër krize institucionale dhe të mundësisë për zgjedhje të reja.
“Ajo që është më e rëndësishme politikisht është afrimi ndërmjet LVV-së dhe LDK-së. Nëse Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku janë duke diskutuar emra konkretë dhe po afrohen drejt një marrëveshjeje, atëherë kjo mund të jetë rruga më e mirë për të shmangur një tjetër krizë institucionale dhe zgjedhje të reja.
Një marrëveshje e tillë do të dëshmonte se, kur bëhet fjalë për interesin institucional të vendit, mund të gjendet një pikë e përbashkët edhe ndërmjet forcave politike që kanë pasur përplasje të mëdha”, ka theksuar ai.
Duke folur për zhvillimet e fundit politike dhe akuzat që po qarkullojnë lidhur me rastin e Fatmir Shehollit, Jakupi ka bërë thirrje për kujdes dhe ka thënë se këto zhvillime nuk duhet të ndikojnë në procesin e zgjedhjes së Presidentit.
“Sa i përket zhvillimeve të fundit politike dhe akuzave që po qarkullojnë, lidhur me skandalin Fatmir Sheholli mendoj se ato duhet të trajtohen me shumë kujdes dhe shpresoj se nuk do të vejnë palët nën presion siç po i bëjnë disa pjesëtar të opozitës nga PDK dhe AAK.
Pra, nuk duhet lejuar që akuza të pakonfirmuara apo narrativa të jashtme të ndikojnë në një proces kaq të rëndësishëm si zgjedhja e Presidentit. Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe për një President që gëzon legjitimitet të gjerë, jo për një tjetër cikël përplasjesh politike.
Prandaj, fokusi tani duhet të jetë te marrëveshja: një emër jopartiak, konsensual dhe me integritet, që mund të marrë mbështetjen e LVV-së dhe LDK-së dhe të sigurojë një zgjidhje institucionale të qëndrueshme.
Nëse Kurti dhe Abdixhiku arrijnë të pajtohen për një figurë të tillë, kjo do të ishte më shumë se një marrëveshje për një emër presidencial; do të ishte një marrëveshje për të nxjerrë vendin nga një tjetër ngërç politik” , ka përfunduar Jakupi.
Qarri propozon bashkimin LVV-LDK dhe PDK-AAK: DioGuardi si kandidat për president të Kosovës Kurse, analisti politik Gani Qarri, në bashkëbisedimin e tij me “Bota sot” ka propozuar një riorganizim të skenës politike përmes bashkimit të subjekteve kryesore, ndërsa ka folur edhe për mundësinë e zgjedhjes së presidentit të ardhshëm të vendit.
“Në fakt duke qenë se AAK tanimë po kuptohet publikisht se nuk është më shumë se një rimorkio e PDK-së, ndërsa elektorati dhe anëtarësia e LDK-së, veçanërisht pas problemeve të fundit të brendshme në LDK, janë afruar edhe më tepër në qëndrim dhe parimet politike me LVV-në, do të ishte rast i përkryer që LVV e LDK të unifikohen në një subjekt të vetëm identifikues apo një parti koalicionale e shembullit; LVV, LDK, Lista Guxo, Alternativa etj, ndërsa PDK e AAk të shkrihen në një subjekt të vetëm politik.
Me këtë akt do të shpëtohej Kosova nga numri i panevojshëm i minipartive dhe thjeshtësohej mese 100% obligimi i elektoratit që të zgjedh njërën nga dy subjektet e mëdha dhe përveç mos shkapërderdhjes së votave edhe përqendrimi i elektorati në vend të tri, katër apo edhe më tepër partive tërësisht të panevojshme, do të përcaktohej për njërën nga dy taborët.
Kjo do ta thjeshtësonte shumë edhe zgjedhjen e presidentit dhe zgjidhjen e problemeve të tjera institucionale e shtetërore, si dhe do të mënjanonte edhe përsëritjen e ngërçeve politike dhe bllokadave që po vijojnë tash e mese dy vite, pothuajse vetëm për inate partiake e grupore dhe pa asnjë arsye madhore, duke dëmtuar vetëm mirëqenien e qytetarëve, vënë në rrezik sigurinë e shtetit dhe penguar rrugëtimin euro-atlantik të Republikës së Kosovës, që është një nga aktet më jetike për finalizimin e shtetndërtimit të suksesshëm”, ka thënë ai.
Duke folur për zgjedhjen e presidentit të Kosovës, Qarri ka vlerësuar se LDK-ja dhe kryetari i saj, mbeten partnerë të rëndësishëm në përpjekjet për arritjen e një konsensusi politik.
“Edhe sa u takon bisedimeve për zgjedhjen e presidentit të vendit, i vetmi partner i besueshëm, në përpjekje për gjetjen e konsensusit politik, për të parin e shtetit, serish është z.Abdixhiku dhe LDK, me të cilin vet z.Albin Kurti ka bërë të ditur se në bisedimet me kreun e LDK-së, janë përmendur dhe nxjerr në tavolinë tashmë edhe propozimet me emra konkretë për Presidentin e ardhshëm të Republikës së Kosovës.
Dakordimi në përpjekjet ndërmjet liderëve të të dy partive për gjetjen e konsensusit për president është ngritur edhe për disa shkallë më lartë, gjë që së fundi është dëshmuar nga të dyja palët, të cilat kanë dalë publikisht me qëndrimin unanim, se ata janë pajtuar që kandidati të jetë një figurë jopartiake dhe konsensuale, ku thuhet se edhe emrat konkret tanimë janë vendosur mbi tavolinë, megjithëse për momentin ende nuk janë bërë të njohur për publikun.
Për mendimin tim, siç e kam cekur në vijimësi që nga fillimi i muajit prill dhe shumë para se të vendosej për çuarjen e vendit në zgjedhjet e panevojshme të 7 Qershorit, kandidati më potencial, i cili për më tepër se 4 dekada ka dhënë kontribut të jashtëzakonshëm dhe sa i takon angazhimit politik e diplomatik për çështjen e shqiptarëve e në veçanti atë të Kosovës, që nga ndërkombëtarizimi i problemit të saj nën okupimin klasik të Serbisë, lufta për çlirim kombëtar, shpallja e pavarësisë, ngritjen e shtetit, avancimin e shtetndërtimit, njohjes ndërkombëtare dhe sigurinë e shtetit të Kosovës, DioGuardi është figura më unike që mund të marrë mbështetjen e përbashkët të LVV-së e LDK-së dhe partive tjera, edhe për faktin se qëndron shumë përpara krahasuar me cilëndo figurë tjetër, që mund të ketë kontribuuar në këtë drejtim dhe emri i tij mund të propozohet, për president konsensual të Kosovës, për 5 vitet e ardhshme ”, ka theksuar ai.
Gjithashtu, Qarri ka përmendur edhe emra të tjerë që mund të jenë pjesë e diskutimeve për postin e presidentit, duke e veçuar Faton Bislimin. Gani Qarri “Mirëpo me gjithë përkrahjen e gjerë që po merr dimensione gjithnjë e më të mëdha edhe në rrjetet sociale, DioGuardi nuk është emri i vetëm, madje këto dit u përmend dhe propozua publikisht nga zoti William Woker dhe vet z.
DioGuardi e edhe shqiptaro-amerikani tjetër z. Faton Bislimi, si kandidat i mundshëm për president, i cili njëjtë si z. DioGuardi ka disa vite, që jeton dhe vepron aktivisht në SHBA, ku edhe ai shkon hapave të DioGUardit dhe ka krijuar lidhje të forta edhe në administratën shtetërore të të dy krahëve kryesor politik të shtetit amerikan. Por sa i takon z.
Faton Bislimit me gjithë respektin e pafund dhe meritat e pamohueshme të kontributit që edhe ai në vijimësi ka dhënë për Kosovën, siç dihet z.
Bislimi ishte anëtar i kryesisë së LDK-së dhe pas disa mospajtimeve me udhëheqjen aktuale të kësaj partie, iku dhe ai në SHBA, ndaj nëse jo të gjithë, një pjesë e deputetëve të LDK-së, përkundër emrit të mirë dhe politikës aktive në mbështetje të Republikës së Kosovës që ai realizoi me sukses nga SHBA, mund të hezitojnë ta mbështesin kandidaturën e tij, nga frika se pas asaj që ka ndodhur, ai nuk do të jetë krah i LDK-së, derisa me z.
DioGuardi nuk qëndron ky problem”, ka shtuar Qarri. Sipas tij, një nga avantazhet e Joseph DioGuardit është fakti se ai nuk ka qenë pjesë e ndonjë partie politike në Kosovë dhe se angazhimi i tij për çështjen shqiptare është zhvilluar përmes politikës amerikane. “Z.
Jospch DioGuardi asnjëherë nuk ka qenë anëtar i asnjë partie politike në Kosovë dhe nga SHBA-të ku zhvillohet politika botërore dhe merren vendime me peshë ndërkombëtare, ai në vijimësi është angazhuar dhe ka kontribuuar pareshtur dhe me të gjitha mundësit e tij njerëzore, politike e diplomatike për çështjen kombëtare shqiptare dhe veçanërisht për Kosovën, duke zhvilluar vizita në kohët më të rënda të okupimit serb, bashkë me senatorët më të zot si Tom Lantos, Eliot Engel, Bob Doll, Alfonse D’Amato, Dana Rochbacher etj, të cilët bashkë me z.
DioGuardi do të bëheshin Zëri shpëtimtar i Kosovës dhe engjëjt mbrojtës të shqiptarëve të pambrojtur nga krimi e gjenocidi serb dhe shfarosja si popull, akt realizimin e të cilit Millosheviqi e kishte filluar me zbatimin e planit famëkeq “Patkoi”.
Sipas asaj që thuhet publikisht, të dy liderët janë duke shqyrtuar emra të njohur-jashtë skenës partiake, apo ndonjë figurë që deri tani nuk është përmendur publikisht, si zonja Besa Tafilaj ish gazetare e shquar shqiptare nga kampi Bonstil në vendin tonë, përfaqësuese e familjeve ushtarake amerikane dhe komunitetit ushtarak të veteranëve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndonjëri pëshpërit emrin e ish ambasadorit Ilir Dugolli, ndonjë tjetër edhe atë të Vasfije Krasniqit etj, që për momentin mbeten vetëm kalkulime, por sido që të jetë, duke pasur parasysh se nga të dy liderët tashmë është përcaktuar kriteri kryesor – për një President jopartiak dhe konsensual, për të dy palët bëhet më e lehtë edhe arritja e pajtimit për emrin përfundimtar të presidentit të ardhshëm, kusht të cilin, sipas mendimit tim më së miri e përmbush z.
DioGuardi”, ka vlerësuar ai. Tutje, Qarri ka kërkuar ndryshime kushtetuese për mënyrën e zgjedhjes së presidentit, duke argumentuar se ngërçet e vazhdueshme politike po e bëjnë të domosdoshëm rishikimin e dispozitave për zgjedhjen e kreut të shtetit.
“Ngërçi i krijuar për zgjedhjen e të parit të shtetit, si pengesë që nuk po arrihet të tejkalohet tash e gati dy vite duke e mbajtur peng gjithë vendin. herët a vonë do ta detyrojë kastën politike për ndryshimin e Kushtetutës dhe përshtatjen e neneve të saj për mundësimin e zgjedhjes së presidentit, drejtpërsëdrejti nga populli duke hequr edhe kushtin që personaliteti i propozuar për president të ketë jetuar domosdoshmërisht 10 vitet e fundit në Kosovë, në mënyrë që ti jepet fund edhe problemit të zgjedhjes së presidentit me 80 deputet të pranishëm në seancë.
Edhe kohët e trazuara politike nëpër të cilat aktualisht po kalon Kosova dhe gjendja e paqartë institucionale, që gati tani e 2 vite me radhë, po e bllokon vendin, me ngërçe e pengesa të inskenuara ndërpartiake, duke rrezikuar edhe funksionimin normal të shtetit dhe pamundëson qeverisjen stabile të vendit, i bënë të detyrueshme ndryshimet kushtetuese, me ç`rast duhet të përfshihet edhe heqja e kushtëzimit që personi i propozuar për president, të ketë jetuar 10 vitet e fundit në Kosovë.
Zgjedhja e një shqiptaro-arbëreshi patriot dhe atdhetari të dëshmuar e me përvojë mbi gjysmëshekullore politike dhe diplomatike i cili përveçse emër i përshtatshëm për President të Kosovës, është edhe figurë unike dhe i pa-refuzueshëm nga cilido prej subjekteve politike shqiptare, do të ishte nderim i veçantë edhe për Kosovën, krenari për shqiptarët, dhe frymëzim për brezat e ardhshëm se kontributi kombëtar, herët a vonë, do të shpërblehet”, ka cilësuar Qarri.
Në fund, analisti ka bërë thirrje që, në rast të marrjes së shtetësisë së Kosovës dhe nëse paraqitet nevoja për ndryshime ligjore e kushtetuese, DioGuardi të merret në konsideratë si kandidat për president.
“Andaj pas marrjes së shtetësisë, në rast nevoje duhet urgjentisht të ndërmerren edhe ndryshimet e nevojshme kushtetuese, në mënyrë që një personalitet kaq i afirmuar kombëtar dhe politikan e diplomat i mirënjohur ndërkombëtar të emërohet në mënyrë unanime dhe të votohet me aklamacion në formën më të lartë ceremoniale në Kuvend nga të gjitha partitë shqiptare edhe për president të Republikës së Kosovës.
Me këtë rast, medoemos duhet përmendur faktin se zgjedhja e z. DioGuardi President të Kosovës, do ta gëzonte në vijimësi edhe mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve dhe do ta kishte mburojë të sigurt e gardian të përhershëm të çështjes shtetërore vet Kongresin Amerikan, që është edhe “shtëpia” e vendimmarrjeve politike të SHBA-ve, ku z.
DioGuardi për më tepër se 40 vite, ka vepruar dhe është mbështetur pothuajse nga të gjithë kongresistët edhe në kontributdhënien e atëhershme për Kosovën, që nga mbledhjet e organizuara në Kongres deri te diskutimet e senatorëve më të mirënjohur, rezolutat e votuara në mbështetje të Kosovës dhe kauzës kombëtare shqiptare.
Prandaj, urojë nga zemra, që Kosova të mos e humbë këtë rast madhor dhe partitë shqiptare në mënyrë unanime, ta zgjedhin këtë presidenti kaq prestigjioz, zgjedhja e të cilit zgjidh pothuajse në mënyrë automatike të gjitha pengesat aktuale, që nga konstituimi i institucioneve të qëndrueshme, ndërtimin e një qeverisje stabile, avancimin pa pengesa të mëtejme në integrimin euroatlantik, si dhe shtetndërtimin e suksesshëm e të merituar të Republikës së Kosovës ”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.
