​Familja Kolona një jetë në skamje: mes barnave, kujdesit për

0%

Në një dhomë flenë,hanë, pushojnë dhe e kalojnë pjesën më të madhe të ditës. Një hapësirë e vogël është bërë për ta edhe kuzhinë, edhe dhomë gjumi, edhe vendi ku mblidhen për ta përballuar edhe një ditë tjetër. Aty jeton familja treanëtarëshe e Hasret Kolonës, ai me prindërit e tij, tashmë të rënduar nga problemet shëndetësore.

Prej rreth 25 vitesh, kjo banesë e vogël, e përbërë nga një dhomë ku zhvillohet pjesa më e madhe e jetës së tyre, një dhomë tjetër ku mbajnë rrobat dhe gjërat e tjera si dhe një banjo e vogël, është shtëpia e tyre me qira. Për këtë strehim, familja çdo muaj duhet të sigurojë 120 euro.

Por, përtej katër mureve të kësaj banese, familja përballet me një tjetër barrë, shumë më të rëndë – sëmundjet. Nëna e familjes është e prekur nga disa probleme shëndetësore dhe tashmë ka vështirësi të mëdha në lëvizje. Hasret Kolona, djali i familjes Kolona: Sëmundjet e nënës, është bajagi një sprovë e madhe kjo “Nëna e ka diabetin. Afër 34 vite.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Ka diku që 22 ose që 23 vite është me insulinë. Insulinën e merr 4 herë në ditë, krejt domethënë dozat e forta. Mandej ka karcinomin që ta përmenda në mitër. Mushkëritë, mushkëritë i mbushen me ujë. Ka edhe varra nëpër këmbë për shkak të diabetit. Me sy, motër e dashur gazetare, me syrin e djathtë sheh pak, me syrin e majtë nuk sheh fare se ka të vendosur silikonin.

Është operuar para 15 viteve dhe s’guxojnë me ia heq se mundet me pas gjakderdhje për shkak të diabetit. E atë ia kanë bllokuar me silikon edhe nuk sheh nga ai fare hiç. Është bajagi një sprovë e madhe kjo”, tha ai. Gjendja e saj tashmë është rënduar aq shumë sa familja e ka të vështirë ta dërgojë edhe për kontrolle mjekësore.

Dikur, kur mund të ecte, një mik i familjes i ndihmonte me transport, por tani edhe kjo mundësi është bërë më e vështirë.

Kolona: Është shumë e vështirë ta dërgojmë në kontrolle, sepse tashmë ka vështirësi në të ecur “Ka njerëz që janë, që po kanë mundësi domethënë me ato mundësitë e veta kur po i kanë po vijnë po më trokasin në derë edhe po më ndihmojnë…. … unë me të vërtetë veturë nuk kam edhe s’kam pasur veturë kurrë se s’kam pas mundësi me e marrë, po besoj edhe diagnozën që e kam s’kisha mund ndoshta as me vozitë… …

Mirëpo është problemi tash tash është problemi i madh që nëna s’po mundet me lëvizë. Para 10 ditësh kur kemi tentuar me e çu… të tregova këtë plagë që e ka në këmbë, shumë vështirë e kemi pasur, diqysh e kemi çu, mirëpo më është problem me e çu. Alternativa e vetme është, domethënë, kur merren… domethënë, kur merren këto… qysh e kanë emrin, vetëm të kujtohem… ndihma private.

Domethënë, vijnë e marrin e çojnë edhe e kthejnë se alternativë tjetër s’ka për nënën, se kjo nuk po mundet me lëvizë”, u shpreh ai. Nëna, sipas djalit, në disa raste nuk arrin t’i njohë as njerëzit më të afërt. Për të birin, kjo është një tjetër dhimbje mbi gjithë ato që tashmë i bart familja.

Kolona: Nëna ka filluar të humb edhe kujtesën “Tash është problemi edhe më i madh te nëna, motër e dashur, që ka fillu me e humb edhe vetëdijen. Kur e pruam këtu në shtëpi, nuk e dike as ku është. Tha: “Ka pak po mundohem me u kujtu, asret djali jam, po më duket jam qenë këtu më herët”.

Jam qenë më herët, e qekjo e din u befasova, kjo nganjëherë mu babin po na njeh edhe s’po na njeh”, tha ai. Por sëmundjet dhe vështirësitë shëndetësore nuk përfundojnë te nëna. Edhe babai i familjes përballet me probleme shëndetësore.

Kolona: Babi ka pasur një aksident në kokë “Mandej dhe babi pak është i tronditur, ka pasur edhe ky një aksident në kokë, ka qenë i lënduar, po tash gradualisht po fillon ka përmirësime”, tha ai. Përballë gjithë kësaj, Hasreti është i vetmi fëmijë i familjes. Tri diagnoza dhe 22 vite terapi ia kanë pamundësuar Hasretit të punojë.

Në vend të një pune që do t’i siguronte të ardhura familjes, ai sot e ka përditshmërinë të lidhur me kujdesin për nënën e sëmurë dhe babain, duke u përpjekur që me të ardhurat nga pensioni invalidor dhe ndihmën e njerëzve t’i përballojë shpenzimet e familjes.

Kolona: Mes tri diagnozave gjen vullnetin për të jetuar e për t’u kujdesur për prindërit “I kam tri diagnoza, është depresioni, miks personaliteti edhe skizofrenia. Barna pi që 22 vite edhe kontrollohem te doktori. Doktori shumë i dashur edhe që kam shumë respekt tek ai, doktori Jusuf Ulaj.

Edhe, domethënë, pa terapi s’kisha mund se me një natë pa terapi po më përkeqësohet gjendja menjëherë. Se jam shumë i ndjeshëm, prekem për gjëra… prekem për gjëra shumë, po diqysh Zoti më ka jep vullnet me jetu, edhe jam falënderues ndaj krijuesit që po mundem me i dalë në ndihmë nënës edhe babës.

Edhe pse është pak e vështirë se jam i vetmi, që s’kam as vëlla as motër, po diqysh Zoti më ka jep njëfarë fuqie me i përballu këto gjëra. E do t’i japi ndihmë deri në frymën e fundit. Për mua është me rëndësi që prindi të jetë i kënaqur me ato gjëra të cilat i bëj për ta.

Edhe do të vazhdoj gjithmonë qashtu se kemi obligim edhe fetar edhe moral e krejt t’i dalim në ndihmë prindit falë tyre ne jemi sot këtu”, u shpreh ai. Të ardhurat e familjes janë pensionet që marrin tre anëtarët e saj. Babai merr pensionin kontributdhënës si ish-mësues, nëna pensionin e pleqërisë, ndërsa Hasreti pension invalidor.

Me këto të ardhura duhet të paguhet qiraja, ushqimi, barnat dhe shpenzimet e tjera që shtohen çdo muaj. Për ushqim, thotë ai, nuk mund t’i lejojnë vetes shumë. Kolona: Me pensionet tona ushqimet e shtrenjta mbeten luks “Sa i përket gjërave ushqimore, mundohemi disi me i përballu gjërat. Nuk, domethënë, ato gjëra të cilat janë të shtrenjta ne nuk i marrim.

Përdorim do gjëra më të thjeshta, më modeste. Edhe i përballojmë me ato pensionet tona. A, bajagi është vështirë, bajagi është vështirë, se grumbullohen shumë gjëra. Grumbullohen shumë gjëra edhe bajagi është vështirë për me dalë, për me dalë deri në fund. Po shoqëri që ka, njerëz me vullnet të mirë, kështu më trokasin në derë edhe më pyesin nganjëherë kur kanë mundësi ata.

“Për çka ke nevojë, hasret?”, tha ai. Përkundër vështirësive të shumta, ai thotë se familja ka gjetur gjithmonë një mënyrë për të vazhduar. Ndonjëherë është një ndihmë e vogël, ndonjëherë një derë që hapet dhe një person që pyet se për çfarë kanë nevojë.

Për Hasretin, kujdesi ndaj tyre nuk është vetëm nevojë e momentit, por një detyrim që e ndien ndaj dy njerëzve që i kanë dhënë gjithçka që kanë mundur. Kolona: Do të luftoj për prindërit deri në frymën e fundit “unë e di nga ana fetare, nga ana fetare gjithmonë Zoti e sprovon ato që e do, edhe nuk dorëzohem kurrë. Domethënë do të luftoj për ta deri në frymën e fundit.

Nuk ka dorëzim, se prindin e kemi hak, edhe pse s’mundemi hak me i dalë kurrë, bile të mundohemi me ato mundësitë e tona me i dalë në ndihmë, aq sa kemi mundësi”, tha ai. Dhe mes gjithë kësaj varfërie e sëmundjes, fjalët e nënës mbeten për të si një arsye për të vazhduar.

Kolona: Unë jetoj për ty, Hasret djali im “Unë jetoj për ty, Hasret djali im, unë jetoj për ty”, thotë se i përsërit nëna e tij. Kjo fjali, ndoshta më shumë se çdo tjetër, përshkruan jetën e kësaj familjeje – një nënë që lufton me sëmundjet, një baba me problemet e veta shëndetësore dhe një djalë që, pavarësisht sprovave të tij, vazhdon të kujdeset për të dy.

Në një banesë të vogël me dy dhoma të vogla e një banjo ku zhvillohet pjesa më e madhe e jetës së tyre, ata nuk kërkojnë shumë. Kërkojnë vetëm aq sa t’i përballojnë shpenzimet e përditshme, barnat dhe nevojat e dy prindërve që tashmë kanë nevojë për ndihmë më shumë se kurrë. Apeli i djalit është për njerëzit që kanë mundësi t’u dalin në ndihmë.

Kolona: Me zemër lutem për ndihmë nga njerëzit me vullnet të mirë “Gjithmonë ekzistojnë edhe unë vetë kisha bërë apel të gjithë ata që janë me vullnet të mirë, me vullnet të pastërt, edhe ata të gjithë që duart e tyre janë të ngritura që simbolizon dhënie, të na ndihmojnë me ato mundësitë e veta që i kanë.

Se me të vërtetë kam nevojë për ndihmë se nuk po mundem vetë krejt me i përballu, bajagi është vështirë. Aq sa kanë mundësi, se kam nevojë për përkrahje financiare t’i mbuloj këto shpenzime të cilat me të vërtetë çdo ditë janë të kushtueshme. Janë të kushtueshme, po ishalla vetë Zoti na ndihmon edhe njerëzit me vullnet të mirë”, tha ai.

Në fund të bisedës, para se të largohemi, ai kërkon të thotë edhe diçka tjetër. Nuk flet më për qiranë, barnat apo vështirësitë e familjes. Kërkon të recitojë disa vargje që ia kushton një prej njerëzve të cilin e konsideron human dhe që, sipas tij, u ka qëndruar pranë familjeve në nevojë – hoxhës Halil Kastrati.

Kolona: Recitimin ia dedikoj njeriut që e shoh si shpresë për të varfrit Të varfrit vuajtën shumë, asgjë nuk kishin, kur dëgjuan emrin tënd, sa të lumtur ishin. I dilnin lotët nga syri i pikonin si shiu, ti je shpresë për ëndrrën e çdo fëmiju. Ti ia ndale lotin, ti ktheve buzëqeshje… Por recitimi nuk përfundon vetëm si një dedikim.

Në fund, zëri i tij thyhet dhe ai përlotet, duke e mbyllur me një lutje për njeriun të cilit ia kushtoi vargjet. Mes sëmundjeve, vështirësive ekonomike dhe një jete të kaluar në një hapësirë të vogël, kjo familje nuk kërkon shumë – vetëm mundësinë për ta përballuar edhe një ditë tjetër me më pak brenga. Çdo ndihmë, sado e vogël, për ta mund të bëhet një lehtësim i madh.

Prandaj, të gjithë njerëzit vullnetmirë që kanë mundësi t’u dalin në ndihmë, mund ta kontaktojnë familjen në numrin: 045 591 271 – Hasret Kolona. Shtëpia e Hasret Kolonës ndodhet në rrugën “Kamer Loshi” nr.85 në Prishtinë.

Burimi: Bota Sot