Hetimet për përplasjen me armë zjarri që tronditi qendrën e Mitrovicës më 9 gusht kanë sjellë një tjetër zhvillim. Gjykata Themelore në Mitrovicë i ka caktuar 30 ditë paraburgim Armend Hysenit, njërit prej të dyshuarve në rastin që po hetohet si “Vrasje në tentativë”, raporton ekskluzivisht Sinjali.
Burimet e Sinjalit bëjnë me dije se vendimi është marrë më 29 gusht nga gjyqtari i procedurës paraprake i Departamentit për Krime të Rënda.
Ekskluzive | Dorëzohet një tjetër i dyshuar për të shtënat në Mitrovicë – tregon ku e kishte armën, Policia ia gjen pistoletën me fishekë Hyseni ishte dorëzuar një ditë më parë në Hetimet Rajonale, ku ishte paraqitur së bashku me avokatin e tij mbrojtës.
Pas dorëzimit, ai është intervistuar nga hetuesit dhe, sipas informacioneve të Sinjalit, u ka treguar vendndodhjen e armës me të cilën pretendon se e ka kryer veprën. Me urdhër verbal të Prokurorit të Shtetit, Policia ka kryer kontroll në shtëpinë e tij dhe në objektet përreth.
Gjatë kontrollit është gjetur dhe sekuestruar një pistoletë e kalibrit 7.65 mm, me tre fishekë, të cilën Hyseni e ka identifikuar si armën e përdorur në ngjarje. Fillimisht ai ishte ndaluar për 48 orë, ndërsa të premten është dërguar para gjyqtarit të procedurës paraprake. Pas seancës, ndaj tij është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh. Çfarë kishte ndodhur më 9 gusht?
Rasti kishte ndodhur rreth orës në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë, ku ishin raportuar të shtëna me armë zjarri. Kur Policia kishte mbërritur në vendngjarje, në derën e banesës ku ndodheshin disa prej të dyshuarve ishin evidentuar vrima nga predhat. Dyshohet se nga brenda banesës ishte shtënë në drejtim të disa personave që ndodheshin në korridor.
Por të shtënat dyshohet se nuk kishin ardhur vetëm nga njëra palë. Në korridor ishin gjetur dhe sekuestruar gëzhoja të kalibrave të ndryshëm, ndërsa ishin dëmtuar dy dyer të banesave. Hetuesit kishin ngritur dyshimin se në incident ishin përdorur së paku dy armë dhe se kishte të shtëna nga të dyja palët.
Pas incidentit, personat që ndodheshin në banesë ishin larguar, duke vënë në lëvizje hetuesit për lokalizimin e tyre. Rasti më pas kishte marrë një seri zhvillimesh. Më 20 gusht, Endri Cakiqi dhe Albi Cakiqi ishin vetëdorëzuar në Polici në praninë e avokatëve të tyre. Njëri prej tyre kishte dorëzuar edhe një pistoletë Zastava, duke pretenduar se ishte arma me të cilën kishte kryer veprën.
Hetimet kishin çuar më pas në identifikimin e personave të tjerë të dyshuar. Valon Hyseni ishte paraqitur në Polici, ndërsa një tjetër i dyshuar vazhdonte të kërkohej. Më 21 gusht, tre prej të dyshuarve kishin dalë para gjyqtarit të procedurës paraprake. Dy prej tyre ishin dërguar në paraburgim për 30 ditë, ndërsa ndaj të tretit ishte caktuar arresti shtëpiak.
Zhvillimi i radhës erdhi më 28 gusht, me vetëdorëzimin e Armend Hysenit dhe sekuestrimin e armës që ai pretendon se është përdorur në incident. Tashmë edhe Hyseni do të qëndrojë në paraburgim për 30 ditë, ndërsa hetimet për zbardhjen e plotë të përplasjes së armatosur vazhdojnë.
Ekskluzive | Zgjerohet hetimi për shkëmbimin e zjarrit në Mitrovicë – identifikohen edhe dy të dyshuar, njëri arrestohet e tjetri në arrati Ekskluzive | Këta janë të dyshuarit për tentim-vrasjen në sheshin “Isa Boletini” në Mitrovicë – të shtëna nga dy anët, të dy në arrati Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.
Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
