Tradita e fluturimeve spektakolare të aeroplanëve mbi stadiume në Afrikën e Jugut daton që nga një prej momenteve më ikonike në historinë e sportit të vendit – finalja e Kupës së Botës në ragbi, në vitin 1995.
Pak para finales mes Afrikës së Jugut dhe Zelandës së Re, në stadiumin Ellis Park në Johannesburg, një Boeing 747 i South African Airways u shfaq papritur mbi stadiumin e mbushur me dhjetëra mijëra tifozë. Aeroplani fluturoi jashtëzakonisht ulët mbi stadium, ndërsa në pjesën e poshtme të krahëve ishte shkruar mesazhi: “Me fat Bokke”, transmeton Telegrafi.
Fluturimi ishte një aksion i planifikuar në mënyrë sekrete dhe u drejtua nga kapiteni i South African Airways, Laurie Kay, duke krijuar një prej pamjeve më të paharrueshme të asaj dite historike. Por ajo që e bëri momentin edhe më të veçantë ishte konteksti. Në stadium ndodhej Nelson Mandela, ndërsa Springboks luanin ndaj rivalëve të mëdhenj të Zelandës së Re.
Afrika e Jugut fitoi finalen dhe ajo ditë u shndërrua në një moment simbolik të unitetit kombëtar, vetëm pak vite pas përfundimit të aparteidit. Që nga ajo kohë, fluturimet mbi stadiume janë bërë pjesë e spektaklit sportiv në Afrikën e Jugut – një traditë që vazhdon edhe sot.
