Xi Jinping “zhduk” gjeneralët, bie edhe “vëllai i madh” i presidentit

0%

Një tjetër figurë e fuqishme e ushtrisë kineze ka rënë në mesin e asaj që po përshkruhet si “valë spastrimesh” e presidentit Xi Jinping.

Shtatë muaj pas zhdukjes së tij nga skena publike, është formalizuar shkarkimi nga Komisioni Qendror Ushtarak i gjeneralit Zhang Youxia, i cili deri përpara disa kohësh konsiderohej si një nga njerëzit më të afërt të Xi-së. 76-vjeçari ishte gjenerali më i fuqishëm i Ushtrisë Çlirimtare Popullore dhe kishte një marrëdhënie personale shumë të afërt me presidentin kinez.

Të dy ata njiheshin që në adoleshencë dhe, sipas burimeve, Xi Jinping e quante atë me respekt “vëllai i madh”. Por në muajin janar, Ministria e Mbrojtjes njoftoi se Zhang dhe një tjetër gjeneral i lartë, Liu Zhenli, ishin vënë nën hetim për “shkelje të rënda të disiplinës dhe ligjit”.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Tani të dy janë shkarkuar zyrtarisht nga postet e tyre, një hap ky që sipas analistëve i paraprin procesit gjyqësor dhe dënimit. Që nga ardhja në pushtet në vitin 2012, Xi Jinping ka eliminuar nga strukturat e ushtrisë të paktën 110 oficerë të lartë, rreth 60 prej tyre vetëm që nga viti 2024.

Zyrtarisht, shumica akuzohen për korrupsion, por në rastin e Zhang dhe Liu akuzat duket se shkojnë përtej kësaj. Shtypi ushtarak kinez i akuzoi ata se kishin “dëmtuar rëndë autoritetin e presidentit” dhe kishin minuar besnikërinë e ushtrisë ndaj Partisë Komuniste, akuza që, në thelb, mund të interpretohen si tradhti e lartë.

Sipas disa analistëve amerikanë, Zhang Youxia mund të ketë kundërshtuar planet për përdorimin e forcës ndaj Tajvanit, duke vlerësuar se Kina nuk mund të përballonte një reagim ushtarak të SHBA-së.

Largimi i tij e ka lënë Komisionin Qendror Ushtarak, që fillimisht përbëhej nga shtatë anëtarë, me vetëm dy persona: Xi Jinping dhe gjeneralin Zhang Shengmin, përgjegjës për luftën kundër korrupsionit.

Burimi: Bota Sot