Teksa Irani kërcënon Radion Farda e media të tjera, SHBA i referohet

0%

Shtetet e Bashkuara thanë se janë në dijeni për kërcënimet nga Forcat e Armatosura të Iranit për t’i futur mediat në gjuhën persiane, përfshirë Radion Farda të Radios Evropa e Lirë (REL), në një listë të shënjestrave të mundshëm ushtarake. Uashingtoni theksoi se Teherani ka një histori të njohur për ngacmimin dhe përpjekjet për sulme ndaj gazetarëve dhe kundërshtarëve jashtë vendit.

Në një përgjigje më 28 gusht për REL-in, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha: “Jemi në dijeni për këto raportimeve”. “Regjimi iranian ka ngacmuar vazhdimisht dhe është përpjekur të rrëmbejë dhe të vrasë gazetarë dhe disidentë iranianë në mbarë botën, thjesht për shkak se ata ushtrojnë liritë e tyre.

Kjo është një sjellje e kamotshme dhe e neveritshme e një regjimi që ka përhapur terror në mbarë botën për dekada”, tha zëdhënësi.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

“Shtetet e Bashkuara qëndrojnë për krah të civilëve të pafajshëm të shënjestruar nga Irani dhe vazhdojnë të punojnë me aleatët dhe partnerët për t’i ekspozuar këto kërcënime, për të ndarë informacionet mbi kërcënimet dhe për t’i mbajtur përgjegjës autorët”, vijoi zëdhënësi.

Në një intervistë televizive në fillim të kësaj jave, zëdhënësi i Forcave të Armatosura të Iranit, gjeneral brigade Abolfazl Shekarchi, përmendi Radion Farda, Iran International, BBC Persian dhe Manoto, duke thënë se punonjësit e tyre mund të përfshihen në “listën e shënjestrave ushtarake” të Iranit.

Ai i quajti ata “ushtarë të sionizmit dhe Amerikës kriminale” dhe pretendoi, pa paraqitur prova, se këto media ishin të lidhura në mënyra të ndryshme me CIA-n, Mossadin dhe shërbime të tjera të inteligjencës së jashtme. David Kramer, drejtor ekzekutiv i Institutit George Ë.

Bush dhe ish-nënsekretar amerikan i Shtetit për demokracinë, të drejtat e njeriut dhe punën, tha se paralajmërimi i Teheranit pasqyron rëndësinë e mediave që ai kërcënoi se mund t’i shënjestrojë.

“Nuk është befasi që regjimi iranian t’i shohë si kërcënim media si Radio Farda dhe shërbimi në gjuhën persiane i BBC-së, pasi ata nuk duan që populli iranian ta dijë se çfarë po ndodh në të vërtetë”, tha Kramer për REL-in.

“Reagimi i regjimit tregon se këto shërbime kanë një ndikim real brenda Iranit, ndërsa regjimi preferon të veprojë përmes heshtjes dhe dhunës ndaj popullit të vet dhe fqinjëve të tij” , tha ai.

Radio Farda është shërbimi në gjuhën persiane i Radio Evropa e Lirë, e cila thotë se misioni i saj është të “promovojë vlerat demokratike duke ofruar lajme të sakta, të pacensuruara dhe debat të hapur në vendet ku shtypi i lirë kërcënohet dhe dezinformimi është i përhapur”.

Kramer tha se këto media “duhet të mbrohen në mënyrë që të mund ta kryejnë punën e tyre të rëndësishme në avancimin e interesave të popullit amerikan përmes fuqisë së butë, ndërsa në të njëjtën kohë t’i tregojnë popullit iranian se nuk është harruar”. Republika Çeke, ku e kanë selinë REL-i dhe Radio Farda, ka protestuar ndaj kërcënimeve.

Ministri i Jashtëm Petr Macinka tha se kishte thirrur ambasadorin iranian për t’u paraqitur në ministri lidhur me këtë çështje, raportuan mediat çeke. “Radio Farda, me bazë në Pragë, ka qenë një nga kanalet e pakta që u ka përcjellë informacione të verifikuara iranianëve.

Rëndësia e saj ishte veçanërisht e qartë gjatë represionit masiv që regjimi iranian ushtroi ndaj popullit të tij gjatë dimrit” , tha për Radion Çeke zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme çeke, Adam Corgo. Ai iu referua një goditjeje vdekjeprurëse ndaj protestave mbarëkombëtare në Iran në janar.

Grupet iraniane për të drejtat e njeriut me bazë jashtë vendit thonë se kanë verifikuar rreth 7.000 vdekje, por se numri real i viktimave ka të ngjarë të jetë më i lartë.

Thomas Melia, ish-zyrtar i lartë i Departamentit të Shtetit, i cili është marrë me të drejtat e njeriut dhe tani është bashkëpunëtor i lartë në Qendrën për Demokraci dhe Shoqëri Civile të Universitetit Georgetown, tha se ky kërcënim duhet të merret seriozisht.

Ai tha se personeli i Radios Farda në Pragë dhe gjetkë “duhet të rrisë ndërgjegjësimin për sigurinë”, duke iu referuar veprimeve të shtetit iranian kundër disidentëve jashtë vendit. Melia tha gjithashtu se kërcënimi i Teheranit nënvizonte rëndësinë e punës së Radios Farda.

“Është një shenjë e rëndësisë së punës së Fardës fakti që regjimi iranian është i pakënaqur që faktet, informacionet dhe raportimet e vërteta që transmeton Farda po arrijnë te populli iranian dhe se ata duan ta ndërpresin këtë”, tha Melia.

Christopher Walker, nënkryetar i Qendrës për Analizën e Politikave Evropiane, me bazë në Uashington, tha se Irani e merr seriozisht konkurrencën për informacionin dhe ka investuar shumë në kapacitetet e tij shtetërore të informacionit. “Autoritetet iraniane e marrin shumë seriozisht konkurrencën mediatike dhe atë për informacionin”, tha Walker .

“Pikërisht për këtë arsye, besohet se ata shpenzojnë qindra miliona dollarë çdo vit për kapacitetet e tyre shtetërore të informacionit në mbarë botën”. Walker i përshkroi kërcënimet ndaj mediave ndërkombëtare në gjuhën persiane dhe burimeve të tjera të pavarura si pjesë të asaj që ai e quajti “modelin e kahershëm të censurës dhe represionit transnacional” të Teheranit.

Robert Harward, ish-zëvendëskomandant i Komandës Qendrore të SHBA-së, tha se armiqësia e Iranit ndaj mediave të pavarura buron nga natyra e autoriteteve klerikale që kanë mbajtur pushtetin që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

“Në thelb, regjimi ka qenë gjithmonë kundër shtypit të lirë dhe kujtdo që është i gatshëm të flasë, dhe ata kanë qenë në gjendje ta kontrollojnë këtë brenda vendit”, tha për REL-in zëvendësadmirali i pensionuar. “Tani, ndërsa bëhen më të dëshpëruar, ata do të godasin të gjitha burimet e presionit të jashtëm, sepse ato tregojnë të vërtetën për atë se sa despotik është ky regjim”, tha ai.

REL-i raporton në 24 gjuhë në 18 vende të botës. Ai është korporatë mediatike private, jofitimprurëse amerikane, e financuar përmes një granti nga Kongresi amerikan, përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale.

Burimi: Bota Sot