Drejtuesi i grupit të asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosje në Prishtinë, Gëzim Sveçla, ka reaguar pas kërkesës së Kryeqytetit për hetim të plotë dhe të paanshëm lidhur me çështjen e Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB).
Përmes një postimi në Facebook, Sveçla ka akuzuar qeverisjen komunale të Prishtinës, të drejtuar nga Përparim Rama, se po përpiqet ta bartë përgjegjësinë te LVV-ja dhe Qeveria për situatën në NPB.
“Për NPB-në, faktet kanë kronologji” , ka shkruar Sveçla, duke thënë se LVV-ja e ka kundërshtuar procesin që nga fillimi, ka paralajmëruar për dëmin që mund t’i shkaktohej NPB-së, ka bërë kallëzim penal dhe ka ngritur padi.
Sipas tij, për rreth tri vjet, LVV-ja ka kërkuar debat në Kuvendin Komunal për këtë çështje, por, siç pretendon ai, PDK-ja dhe LDK-ja e kanë pamundësuar një debat të tillë. Sveçla ka kritikuar edhe kryetarin e Prishtinës, Përparim Rama, duke thënë se gjatë më shumë se katër viteve në krye të komunës nuk ka ndërmarrë veprime për mbrojtjen e NPB-së dhe pronës publike.
Ai ka ngritur akuza edhe ndaj PDK-së, duke pretenduar se kjo parti ka pasur rol vendimtar në udhëheqjen e NPB-së, përmes aksionarëve, Bordit dhe kryeshefit, ndërsa ka përmendur edhe angazhimin e një avokati të Grupit Parlamentar të PDK-së në mbrojtjen ligjore të NPB-së në këtë kontest.
Sveçla ka pretenduar se ky avokat nuk e ka kundërshtuar ekspertizën financiare që ka rezultuar me mbi 32 milionë euro obligim për NPB-në dhe nuk ka kërkuar ekspertizë të re financiare, edhe pse, sipas tij, kjo mundësi ishte ofruar nga gjykata. “LVV-ja paralajmëroi, denoncoi, paditi dhe kërkoi debat.
Vetëm Lëvizja VETËVENDOSJE! e kundërshtoi këtë marrëveshje të dëmshme dhe të dyshimtë që nga fillimi” , ka shkruar Sveçla. Në fund, ai ka akuzuar qeverisjen komunale dhe PDK-në se po kërkojnë fajtorë pasi, sipas tij, dëmi tashmë ka ardhur te dera e NPB-së, duke thënë se përgjegjësia për mbrojtjen e pronës publike duhet të përcaktohet mbi bazën e fakteve dhe kronologjisë së veprimeve.
