Nga 28 gushti deri më 29 gusht, në orën , në Maqedoninë e Veriut janë regjistruar gjithsej 31 zjarre në hapësira të hapura, njoftoi Qendra për Menaxhim me Kriza (QMK). Prej tyre, pesë zjarre janë ende aktive, një është vënë nën kontroll, ndërsa 25 janë shuar plotësisht.
Më seriozi është zjarri në territorin e komunave të Studeniçanit dhe Zelenikovës, ku po digjet pyll i përzier në zonën Moranë–Vërtekicë–Ramni Gaber, me një degëzim drejt Paligradit dhe në drejtim të Presllapit. Aktiv është edhe zjarri pranë Kopanicës, në Komunën e Sarajit, i cili po përhapet drejt Radushës dhe ka përfshirë bimësi të ulët dhe pyje.
Zjarre ka ende edhe mbi fshatin Nezhilovë, në Komunën e Çashkës, pranë Kopancës, në Komunën e Jegunovcës, si dhe në zonën e fshatit Cërnilishtë, në Komunën e Prilepit. Nën kontroll është vënë zjarri që shpërtheu pranë Tërnovës, në Komunën e Gostivarit, dhe që u përhap drejt Bitovës, Zagradit dhe Strajanës, në territorin e Komunës së Makedonski Brodit.
Gjatë 24 orëve të fundit janë shuar 25 zjarre në disa komuna, përfshirë Strumicën, Ohrin, Prilepin, Shtipin, Tetovën, Gostivarin, Dellçevën dhe Berovën. QMK-ja vazhdon ta ndjekë gjendjen në terren dhe u bën thirrje qytetarëve për kujdes të shtuar, për shkak të rrezikut nga shpërthimi dhe përhapja e zjarreve në hapësira të hapura.
