Marko Beceki dhuroi një paraqitje të shkëlqyer të premten në para-kualifikueset e Çmimit të Madh të Aragonit. Piloti italian e mbylli sesionin në vendin e parë, duke vendosur edhe rekordin e ri të pistës me kohën 1’45”455. Ai ishte vetëm 10 të mijtat e sekondës më i shpejtë se më i vogli i vëllezërve Markez, Aleksi, ndërsa Mark Markez u rendit i treti, vetëm 38 të mijtat pas Becekit.
Në vendin e shtatë u klasifikua lideri i kampionatit botëror dhe njëkohësisht shoku i skuadrës së Becekit, Horge Martin. Ndërkohë, Peko Banjaja nuk shkoi më larg se vendi i 13-të. Në një fundjave ku Dukati po dominon në Aragon, me katër pilotë në pesë pozicionet e para, ishte Marko Beceki me Aprilian ai që arriti t’i linte të gjithë pas.
Italiani kryesoi para-kualifikueset, duke vendosur edhe rekordin e ri të pistës, 1’45”455, përpara Aleks dhe Mark Markezit. Ky i fundit u shfaq në formë të mirë, pavarësisht disa shqetësimeve në krah.
Megjithatë, për korrektësi, duhet theksuar se piloti më i madh i vëllezërve Markez nuk e zhvilloi xhiron e fundit me gomë të re, duke preferuar të dilte në pistë me një gomë që ishte përdorur më parë. Në vendin e katërt u rendit Fabio Di Xhanantonio, me 299 të mijtat e sekondës vonesë, përpara Fermin Aldeguerit, i pesti me një diferencë prej 440 të mijtash.
Më shumë vështirësi pati lideri i klasifikimit, Horge Martin, i cili e mbylli sesionin në vendin e shtatë, me 572 të mijtat pas kreut. Megjithatë, piloti spanjoll bëri një hap të rëndësishëm përpara krahasuar me FP1, ku ishte renditur vetëm në vendin e 18-të. Vështirësitë vazhdojnë edhe për Banjajan.
Piloti italian e përfundoi sesionin në vendin e 13-të, më shumë se një sekondë pas Becekit, çka do ta detyrojë të kalojë nga Q1 në kualifikimet e së shtunës për të siguruar një vend në Q2. Dhjetëshen e parë, dhe për rrjedhojë edhe kualifikimin e drejtpërdrejtë në Q2, e plotësojnë Raul Fernandez, Pedro Akosta, Franko Morbideli dhe Johan Zarko.
Për t’u veçuar ishte rikthim në pistë i Zarkos, pas tre muajsh mungesë, pas dëmtimit të rëndë që pësoi në Barcelonë. Për sa i përket axhendës, sot në orën do të nisin kualifikueset, ndërsa në orën Sprinti. Çmimi i Madh i Aragonit do të startojë të dielën në orën .
