Tirana ka mbetur pa kokë de facto, pas vendimit nga qelia të Erion Veliajt për ta larguar Anuela Ristanin si kryetare të komanduar, kompetenca që ju deleguan që nga shkurti i 2025 prej tij. Shkarkimi i Ristanit nga Veliaj u lexua si një kapitull i ri i përplasjes me Edi Ramën. Për opozitën kryebashkiaku e sulmoi hapur kryeministrin.
Por provat mbi këto pretendime nuk kanë dalë ende në dritë. Mund të ketë përplasje apo interesa të reja rreth Bashkisë së Tiranës, por çka dimë është urdhri i shkruar e zeza në të bardhë se administrata së cilës i kishte deleguar kompetencat nuk e informonte, nuk koordinohej me të dhe nuk zbatonte udhëzimet e tij. Dhe ai ia tërhoqi delegimin.
Pra, Erion Veliaj në paraburgim po përpiqet të rimarrë kontrollin mbi Bashkinë që juridikisht vazhdon ta drejtojë. Problemi qëndron se Tirana sot ka një kryetar që nuk mund të shkojë në bashki. Mund të firmosë. Mund të marrë vendime. Mund të heqë delegime. Por nuk mund të drejtojë normalisht qytetin. Dhe Tirana nuk mund të funksionojë pafundësisht kështu.
Të prekurit nga gjendja që ndodhet sot bashkia janë direkt qytetarët, të cilët duket se kanë përgjigjen. Top Channel doli sot në rrugët e kryeqytetit dhe pyeti banorët se kush mendojnë se mban përgjegjësi për situatën e krijuar në Bashki. Nuk është sondazh. Nuk përfaqëson statistikisht Tiranën. Por në përgjigjet që morëm, një emër u përsërit më shumë se të tjerët.
Një pjesë e qytetarëve, kur nuk dinë më kujt t’i kërkojnë llogari për Tiranën, e kërkojnë përgjegjësinë te kryeministri. Ky perceptim nuk ka lindur rastësisht, por ndër vite, Rama ka qenë qendra politike e kësaj mazhorance. Prandaj sot nuk mund të centralizohet merita dhe të decentralizohet përgjegjësia. Përtej fjalëve, ndërkohë Tirana duhet të funksionojë. Duhet të pastrohet.
Duhet të menaxhojë trafikun. Duhet të japë shërbime. Duhet të vazhdojë investimet. Dhe dikush duhet të përgjigjet kur këto gjëra nuk ndodhin. Edhe vetë punonjësit e Bashkisë janë të paqartë mbi emrin e punëdhënësit. Drejtësia duhet të hetojë Veliajn, por nuk drejton Tiranën.
Akuzat duhet të provohen ose të rrëzohen në gjykatë; ndërsa politika duhet të marrë përgjegjësitë e fatit të Bashkisë së Tiranës. Edi Rama nuk mund dhe nuk duhet të vendosë nëse Erion Veliaj qëndron apo jo në paraburgim. Por mund dhe duhet të thotë se çfarë mendon se duhet të ndodhë me Tiranën.
Kur Veliaj vazhdon të ketë mbështetjen e tij si kryetar, atëherë Kryeministri dhe mazhoranca duhet të kërkojnë një zgjidhje institucionale që i jep qytetit drejtim të qartë, pa ndërhyrë në drejtësi. Tirana ka nevojë të dijë kush do ta drejtojë nesër në mëngjes. Dhe kjo përgjigje duhet të vijë shpejt. Sepse Tirana nuk mund të presë.
