Katër punëtorë vdiqën në KEK brenda pak muajve, ndërmarrja operon pa

0%

Punëtorët e KEK-ut vazhdojnë të përballen me rreziqe serioze në vendin e punës. Në vitin 2026 janë regjistruar katër vdekje të punëtorëve, ndërsa vlerësimi i fundit i rrezikshmërisë së vendeve të punës është bërë në vitin 2019, të paktën kështu deklarojnë nga Sindikata e Re e KEK-ut.

Kontrata e re për këtë vlerësim është nënshkruar në fund të majit të vitit 2026 dhe procesi, sipas kompanisë që po e kryen atë, mund të përfundojë në mesin e vitit të ardhshëm. Kryeshefi i KEK-ut, nuk pranoi të deklarohet para mikrofonit.

Pamjet e punëtorëve të mbuluar nga pluhuri, teksa dalin nga kaldajat e Termocentraleve Kosova A dhe Kosova B, muaj më parë tronditën opinionin publik dhe nxitën diskutime për kushtet e punës në Korporatën Energjetike të Kosovës. Menaxhmenti i KEK-ut kishte argumentuar se këto pamje nuk dëshmonin domosdoshmërisht pasiguri në punë.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Por gjatë vitit 2026, në KEK janë regjistruar katër vdekje të punëtorëve. Sipas Sindikatës së Re të KEK-ut, nga viti 2013 deri në vitin 2025 në KEK kishin vdekur tre persona, ndërsa vetëm gjatë vitit 2026 janë regjistruar katër raste. Rasti më i fundit është vdekja e 32-vjeçarit Arbenit Ahmeti, i cili më humbi jetën në Divizionin e Prodhimit të Qymyrit.

Ahmeti ishte duke punuar në zonën ku operojnë ekskavatorët gjigantë të mihjes, të cilët furnizohen me energji elektrike përmes kabllove 6-kilovoltëshe. Sipas informacioneve të siguruara nga KALLXO.com, në momentin kur Ahmeti po zhvendoste kabllot e energjisë, furnizimi me rrymë nuk ishte ndërprerë. Punëtori ra në kontakt me kabllon nën tension dhe goditja rezultoi fatale.

Për këtë rast, Prokuroria e Prishtinës ka ndërmarrë hetime, ndërsa një inxhinier i KEK-ut është arrestuar. Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, thotë se punëtori kishte qenë i angazhuar për zhvendosjen e një kablloje 6-kilovoltëshe.

“Po, fillimisht ata kanë pasur me vendosur një kabëll 6-kilovoltësh prej një pozicioni në pozicionin tjetër dhe diku aty ka pasur një, po thoshim, keqkuptim ose një mosmarrëveshje. Dhe me thënë të drejtën, e arsyeshme, krejt saktë nuk mundem me i ditur, për arsye se edhe është duke u marrë policia, hetuesia me rastin.

Vetëm e dimë që ky ka ardhur në kontakt me një kabëll që ka qenë nën tension të rrymës dhe ajo ka qenë… kontakti i rrymës ka qenë fatal për të, kështu që punëtori Arbenit Ahmeti, në moshën 32-vjeçare, punëtor i Korporatës Energjetike të Kosovës, në divizionin e prodhimit të qymyrit, ka ndërruar jetë për shkak të këtij kontakti me energjinë elektrike.” Arbenit Ahmeti është viktima e katërt në mesin e punëtorëve të KEK-ut gjatë këtij viti.

Rastet tragjike nisën me Migjen Sadikun, punëtor të sigurimit fizik në Termocentralin Kosova A, i cili u godit për vdekje nga një kamion brenda hapësirave të KEK-ut. Megjithatë, Prokuroria e Prishtinës këtë rast nuk e ka cilësuar si aksident në vendin e punës, por si vepër penale “Rrezikimi i trafikut publik”.

Zëdhënësja e Prokurorisë së Prishtinës, Kaltrina Shala, ka bërë të ditur se më është ngritur aktakuzë ndaj të pandehurit S.Sh. për veprën penale “Rrezikimi i trafikut publik”, nga neni 370, paragrafi 9 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal. Pas Sadikut, në KEK kanë ndodhur edhe tri vdekje të tjera – Milazim Binaku, Haxhi Gojnovci dhe Arbenit Ahmeti.

Sipas nënkryetarit të Sindikatës së Re të KEK-ut, Nexhat Llumnica, që nga ndarja e aseteve me KEDS-in, numri i vdekjeve aksidentale në KEK është më i lartë. Ai përmend dy viktima nga shpërthimi në Kosova A në vitin 2014, rastin e Femi Salihut në vitin 2018 dhe katër rastet e vitit 2026. Llumnica pretendon se rritja e aksidenteve lidhet edhe me mënyrën e menaxhimit në KEK.

“Dhe këto vijnë, mendoj se këto vdekjet aksidentale të rasteve të fundit vijnë si rezultat i presioneve të menaxhmentit, i menaxhimit represiv e jo motivues” – ka deklaruar ai. Ai thotë se punëtorët, sipas tij, shpesh nuk ndihen të lirë të refuzojnë një detyrë edhe kur e konsiderojnë atë të pasigurt.

Llumnica ngre shqetësime edhe për sëmundjet profesionale, duke pretenduar se ekspozimi ndaj rreziqeve në KEK nuk kufizohet vetëm te aksidentet. Mungesa e vlerësimit të rrezikshmërisë Një nga çështjet kryesore të ngritura në këtë hulumtim është mungesa e një vlerësimi të ri të rrezikshmërisë së vendeve të punës.

Vlerësimi i fundit, sipas dokumenteve dhe dëshmive të siguruara, është bërë në vitin 2019 nga Instituti INKOS. Tenderi për një vlerësim të ri ishte iniciuar në gusht të vitit 2025, por kontrata është nënshkruar vetëm në maj të vitit 2026. Pra, për rreth 10 muaj, procedurat kanë mbetur në pritje të përfundimit të procesit të prokurimit.

Në ndërkohë, katër punëtorë kanë humbur jetën gjatë vitit 2026. Naim Baftiu, drejtor në INKOS, konfirmon se institucioni kishte bërë vlerësimin e fundit në vitin 2019. Sipas tij, në atë vlerësim ishin përfshirë të gjitha vendet e punës në KEK dhe ishte konstatuar se asnjë prej tyre nuk mund të konsiderohej pa rrezik.

“Pa rrezikshmëri, domethënë, asnjë punëtor në Korporatën Energjetike — po bazohem në raportin e 2019-ës — asnjë punëtor nuk është i parrezikuar. Domethënë, të gjithë: dikush më mesëm, dikush më i lartë…” Baftiu shpjegon se vlerësimi ka marrë parasysh natyrën e punës në KEK, ku punëtorët përballen me terren të hapur, zhurmë, ekskavatorë gjigantë dhe shirita vetëlëvizës.

Ai konfirmon se INKOS e kishte bërë vlerësimin e fundit në vitin 2019. Ndërkohë, kompania që aktualisht është kontraktuar për të kryer vlerësimin e ri të rrezikshmërisë ka deklaruar se procesi mund të zgjasë deri në mesin e vitit 2027.

Sipas Muhamet Hamitit, i cili përfaqëson kompaninë NMA që po e kryen këtë proces, KEK-u ka tri departamente kryesore – departamentin e qymyrit dhe Termocentralet Kosova A dhe Kosova B. “Kek-u i ka tri departamente, departamentin e qymyrit, A dhe B.

Kështu që une mendoj që rreth mesit te vitit te ardhshëm, mundet me u përfundu komplet.” Kjo do të nënkuptonte se një pjesë e madhe e vitit 2026, dhe muajt e parë të vitit 2027, KEK-u do të vazhdojë të presë për përfundimin e dokumentit që përcakton rreziqet në vendet e punës.

Punëtorët pretendojnë se i blejnë vetë pajisjet mbrojtëse Përveç mungesës së vlerësimit të rrezikut, Sindikata e Re e KEK-ut ngre shqetësime edhe për pajisjet personale mbrojtëse. Nënkryetari i kësaj sindikate, Nexhat Llumnica, thotë se punëtorët e rinj, sipas tij, në disa raste nuk janë pajisur me mjete të nevojshme për punë.

“Ne kemi rastet e fundit që vijnë punëtorë të rinj në Korporatën Energjetike të Kosovës, nuk kanë pajisje personale… po na detyrojnë udhëheqësit me i blerë pajisjet, pra dorezat e punës edhe veshjet.” Ai pretendon se ka raste kur punëtorëve u është kërkuar të blejnë vetë rrobat e punës dhe pajisje të tjera.

Kryetari i Sindikatës së Re të KEK-ut, Xhelal Jashari, thotë se pajisjet, sipas tij, shpesh vijnë me vonesa ose nuk janë adekuate për sezonin dhe llojin e punës. “Vijnë të përgjysmuara që disa vite, vijnë pjesë-pjesë. Ndoshta shpeshherë nuk vijnë adekuate. Për verë t’i vijnë dorezat e dimrit. Dimrit t’i vijnë dorezat e verës…” – tha Jashari.

Sindikalistët flasin për presion ndaj punëtorëve Përfaqësuesit e Sindikatës së Re të KEK-ut pretendojnë se një tjetër problem është presioni ndaj punëtorëve për të përfunduar detyrat brenda afateve, edhe kur kushtet e punës mund të jenë të pasigurta. Jashari thotë se punëtorët përballen me presion që ai e cilëson si “shantazhues”.

“Punëtorët punojnë në një presion që ne kemi vlerësuar se është presion shantazhues. Duke i thënë punëtorit ‘gutu, gutu, gutu’, menaxheri se ‘mua më shkarkojnë sepse nuk kryhet kjo punë’.” Sipas tij, trajnimet për sigurinë në punë janë të pamjaftueshme dhe në disa raste mbahen nga persona që, sipas tij, nuk e njohin mjaftueshëm natyrën e punës në KEK. “Trajnime në KEK ka pak.

Ka pak trajnime, e ato trajnime që mbahen, mbahen me njerëz jo profesionistë…”

Burimi: Kallxo