Ambasadori në largim i Francës në Kosovë, Olivier Guerot, ka folur për përvojën e tij gjatë katër viteve të qëndrimit në Kosovë, në një intervistë ekskluzive për emisionin “Info Magazine”. Guerot tha se Kosova do të mbetet në kujtesën e tij si një vend vibrant, mikpritës dhe dinamik, që po ecën përpara.
“Përshtypjet janë të shumta për katër vite, por Kosova do të mbetet në kujtesën time si një vend vibrant, një vend ku njerëzit janë të ngrohtë, mikpritës, tejet dinamik, që po lëviz përpara”, u shpreh ai. Duke folur për momentet më të vështira gjatë mandatit të tij, ambasadori francez veçoi sulmin e 24 shtatorit 2023 në Banjskë. “Momenti më sfidues ka qenë sulmi në Banjskë.
Ngjarjet para dhe pas sulmit, gjatë viteve 2022, 2023 dhe 2024, kanë qenë të vështira” , tha Guerot. Ai kujtoi edhe vizitën në varrimin e policit të vrarë në Banjskë, Heroit Afrim Bunjaku. Megjithatë, Guerot theksoi se gjatë qëndrimit të tij në Kosovë ka pasur edhe momente të lumtura.
