Volejbollistja Erjona Jonuzi mezi po pret të debutojë me ekipin e ri, Slovan Bratislava, kampionen në fuqi të Sllovakisë. Ajo ka firmosur kontratë njëvjeçare me klubin nga Bratisllava, ku do ta vazhdojë karrierën ndërkombëtare. Jonuzi synon të arrijë suksese sa më të mëdha me kolektivin e ri dhe të ndihmojë skuadrën të luftojë për trofe.
Në intervistë, ajo ka treguar pse vendosi të firmosë me kampionen sllovake, si dhe ka folur për nivelin dhe konkurrencën e volejbollit në Sllovaki, duke e krahasuar atë me kampionatet e Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut. Volejbollistja ka rrëfyer edhe përvojën e saj me kombëtaren e Maqedonisë së Veriut në Lojërat Mesdhetare, si dhe për objektivat që e presin në sezonin e ri.
“Bota sot”: Cila është arsyeja që vendose t’i bashkohesh këtij kolektivi? Erjona Jonuzi: V endosa t’i bashkohem Slovan Bratislavës sepse është një klub me traditë, ambicie dhe objektiva të larta. Më pëlqeu projekti i klubit dhe besoj se është një hap i mirë për karrierën time. Shpresoj që me eksperiencën time ta ndihmoj ekipin të arrijë sa më shumë suksese këtë sezon.
“Bota sot”: Gjatë edicionit të kaluar, sa ishit pjesë ekipit “Nove Mesto nad Vahom”, keni qenë lidere e shërbimeve në Kampionatin e Sllovakisë, ku ishte çelësi i këtij suksesit? Erjona Jonuzi: Mendoj se çelësi ishte puna, vazhdimësia dhe besimi që kisha nga ekipi. Si pasuese, gjithmonë mundohem ta ndihmoj skuadrën jo vetëm me organizimin e lojës, por edhe me shërbim.
Sigurisht, ky sukses nuk është vetëm individual, sepse rezultatet vijnë gjithmonë nga puna e gjithë ekipit. “Bota sot”: Me Maqedoninë e Veriut keni qenë në Lojërat Mesdhetare, cilat janë përshtypjet tuaja? Erjona Jonuzi: Ishte një eksperiencë shumë e bukur dhe e veçantë për mua. Të përfaqësosh Maqedoninë e Veriut në një kompeticion të tillë është gjithmonë krenari.
Kishim mundësinë të luanim kundër ekipeve të forta, të fitonim eksperiencë dhe njëkohësisht të shijonim atmosferën e Lojërave Mesdhetare. Është një eksperiencë që do ta mbaj mend gjatë. “Bota sot”: Cilat janë synimet tuaja për edicionin e ri në Sllovaki? Erjona Jonuzi: Synimet e mia janë gjithmonë të larta.
Dua të jap maksimumin tim për ekipin dhe të luftojmë për trofetë në çdo kompeticion ku marrim pjesë. Besoj se kemi një ekip cilësor dhe shpresoj që në fund të sezonit t’i realizojmë objektivat që kemi vendosur. “Bota sot”: Cilat ekipe mendoni se do të janë rivale të forta për Slovanin?
Erjona Jonuzi: Mendoj se Slavia, Zhilina, Nitra dhe sigurisht Nove Mesto do të jenë ndër rivalet e forta këtë sezon. Kampionati është konkurrues dhe çdo ekip duhet respektuar. Për ne më e rëndësishmja është të fokusohemi te loja jonë. “Bota sot”: Çfarë e dallon volejbollin sllovak me të Maqedonisë së Veriut dhe të Kosovës?
Erjona Jonuzi : Mendoj se dallimi kryesor është ritmi dhe organizimi. Në Sllovaki volejbolli është në një nivel më profesional, ka më shumë ekipe konkurruese dhe ndeshjet janë më të forta gjatë gjithë sezonit.
Në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë gjithashtu ka lojtare cilësore dhe shumë potencial, por volejbolli sllovak për momentin ofron një nivel më të lartë konkurrence dhe më shumë mundësi për t’u zhvilluar si lojtare. “Bota sot”: Cili ishte gëzimi dhe dëshpërimi më i madh në edicionin që e lamë pas?
Erjona Jonuzi: Gëzimi më i madh për mua ishte rikthimi në fushë pas një periudhe të vështirë dhe fakti që arrita përsëri të luaj dhe ta shijoj volejbollin. Ndërsa dëshpërimi më i madh ishte që si ekip nuk arritëm t’i realizonim të gjitha objektivat që kishim vendosur. Megjithatë, çdo eksperiencë të mëson diçka dhe më ka motivuar edhe më shumë për sezonin e ri.
