“12 orë në shërbim, një racion gjedhi” – Oficeri korrektues ankohet

0%

Një oficer korrektues i është drejtuar Gazetës Sinjali me një ankesë lidhur me kushtet e ushqimit që, sipas tij, u ofrohet pjesëtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës gjatë ndërrimeve 12-orëshe. Ai pretendon se gjatë shërbimit, përfshirë edhe ndërrimin e natës, oficerëve u ofrohet ushqim i kufizuar, ku si racion përmend “një racion gjedhi – narezak” ose një konservë peshku.

Sipas oficerit, i njëjti ushqim ofrohet edhe brenda institucioneve korrektuese, ku pjesëtarët që janë në ndërrim të natës ushqehen në mensën e institucionit. Ankesa bëhet edhe më e theksuar për Burgun e Sigurisë së Lartë, ku, sipas tij, oficerëve nuk u lejohet të fusin ushqim apo pije nga jashtë, me përjashtim të ujit.

“Oficerët janë të detyruar të hanë në mensën ku përgatitet ushqimi nga të burgosurit. Ushqimi është shumë i dobët”, pretendon ai. Ai bën një krahasim mes kuzhinës brenda perimetrit të institucionit dhe asaj ku, sipas tij, përgatitet ushqimi për drejtuesit e institucionit.

ADVERTISEMENT

Gjeni Hapësirën Tuaj Këtu

Rezervoni këtë hapësirë për sponsorizimin tuaj editorial.

Reklamo Këtu

Sipas tij, në kuzhinën jashtë perimetrit përgatitet ushqim që “nuk dallon nga ai i restoranteve”, ndërsa për oficerët brenda institucionit ushqimi “është shumë i dobët.” Oficeri pretendon gjithashtu se cilësia e ushqimit ndryshon në ditët kur institucionet korrektuese vizitohen nga mediat apo delegacione të ndryshme.

“Kur ka vizita nga ndonjë medium apo diçka e ngjashme, angazhohen kuzhinierët që ushqimi të jetë në nivel, vetëm sa për reklamë. Në ditët normale, ushqimi është katastrofal, me yndyrë pa kontroll, me pjekje të dobët ose të tepërt, saqë nuk hahet nga një njeri normal”, thuhet në ankesën e tij.

Ai shpreh shqetësimin se, ndonëse për çështje të ushqimit të pjesëtarëve të Forcës së Sigurisë së Kosovës është diskutuar gjerësisht në media, sipas tij, gjendja e pjesëtarëve të Shërbimit Korrektues të Kosovës nuk po merr vëmendjen e njëjtë. “Shërbimi korrektues është një shërbim që është harruar nga shteti”, thotë oficeri.

Në fund të ankesës, ai sqaron se në racionin e përmendur përfshihet edhe një shishe ujë. Gazeta Sinjali do t’u drejtohet institucioneve përgjegjëse për të marrë qëndrim lidhur me këto pretendime dhe për të sqaruar se çfarë ushqimi u ofrohet zyrtarisht oficerëve korrektues gjatë ndërrimeve të tyre. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!

Burimi: sinjali.com