Qendra Memoriale e Srebrenicës (MCS) i ka kërkuar UEFA-s përjashtimin e përhershëm të klubit beogradas Crvena Zvezda nga garat evropiane, për shkak të madhërimit të Ratko Mladiqit, ish-komandantit të Ushtrisë së Republikës Serbe të Bosnjës, i dënuar për gjenocid dhe krime të tjera. MCS ka paraqitur kallëzim zyrtar në UEFA pas ndeshjes së Ligës së Evropës kundër Viktoria Plzen në Çeki.
Sipas Qendrës Memoriale, Mladiq u madhërua gjatë takimit, ndërsa më pas fotografitë me mesazhet kontestuese u publikuan edhe në kanalet zyrtare të klubit në rrjetet sociale.
“Klubi që me vetëdije përdor kanalet e tij zyrtare të komunikimit për përhapjen e mesazheve që madhërojnë një person të dënuar me vendim të formës së prerë për gjenocid, nuk mund ta reduktojë një veprim të tillë vetëm në sjellje të tifozëve.
Kjo nuk është më vetëm çështje e tribunave, por e raportit institucional të klubit ndaj vlerave mbi të cilat UEFA e mbështet futbollin evropian”, t huhet në ankesën e MCS-së, raporton Danas. Gjatë ndeshjes, tifozët e klubit nga Beogradi shpalosën pankartën me mbishkrimin “Gjeneral, lavdi e madhe dhe faleminderit”, ndërsa brohoritën emrin e Ratko Mladiqit.
Qendra Memoriale vlerëson se rasti nuk mund të trajtohet vetëm si sjellje e një pjese të tifozëve, pasi Crvena Zvezda, pas ndeshjes, publikoi në profilet e saj zyrtare fotografi ku pankartat shiheshin qartë. “Në vend që të distancohej nga mesazhe të tilla, klubi i bëri ato pjesë të komunikimit të tij zyrtar pas ndeshjes” , thuhet në shkresën drejtuar UEFA-s.
Sipas MCS-së, veprime të tilla mund të bien nën dispozitat e Rregullores Disiplinore të UEFA-s që lidhen me sjelljen diskriminuese, cenimin e dinjitetit njerëzor, mesazhet politike dhe ideologjike të papërshtatshme për ngjarjet sportive, si dhe sjelljet që dëmtojnë reputacionin e futbollit dhe UEFA-s.
Qendra Memoriale ka rikujtuar se ekziston edhe një precedent disiplinor që lidhet me Crvena Zvezdën dhe madhërimin e Mladiqit. Sipas saj, UEFA kishte konstatuar në një rast të mëparshëm se madhërimi i tij nuk përbën thjesht mbështetje për një individ, por mesazh që fyen viktimat mbi baza etnike dhe fetare.
MCS i ka kërkuar UEFA-s hapjen urgjente të procedurës disiplinore dhe që sjellja e tifozëve dhe veprimet e klubit të shqyrtohen si një tërësi. Publikimi i fotografive kontestuese në kanalet zyrtare të Crvena Zvezdës kërkohet të trajtohet si rrethanë veçanërisht rënduese.
