Ministri i Punëve të Jashtme dhe Evropiane i Kroacisë, Gordan Grliq Radman, ka reaguar pas lajmit për vdekjen e të dënuarit për krime lufte, Ratko Mlladiq, duke kujtuar krimet e kryera nga forcat nën komandën e tij në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë, shkruan Telegrafi. Grliq Radman theksoi se Mlladiq vdiq si një kriminel lufte i dënuar.
“Forcat ushtarake nën komandën e tij, duke ndjekur synimin për krijimin e ‘Serbisë së Madhe’, lanë një gjurmë të përgjakshme në gjithë Kroacinë dhe Bosnje e Hercegovinën, nga Kijevo, Shkabrnja, Drnishi dhe Shibeniku, deri në Bosnjën lindore dhe gjenocidin në Srebrenicë”, tha ai, shkruajnë mediat kroate.
Sipas ministrit kroat, drejtësia ishte e ngadaltë dhe nuk përfshiu të gjitha krimet e luftës të kryera nga njësitë nën komandën e Mlladiqit.
Pamje nga Zvorniku pas vdekjes së Ratko Mlladiqit: Qindra persona brohorasin emrin e tij, reagon Durakoviq Edhe Ministria e Veteranëve të Kroacisë reagoi pas vdekjes së Mlladiqit, duke e cilësuar atë si një prej personave më përgjegjës për krimet e rënda të luftës, vrasjet e civilëve dhe përndjekjet në Kroaci dhe Bosnje e Hercegovinë.
Ratko Mlladiq ishte dënuar me burgim të përjetshëm për gjenocidin në Srebrenicë, krime kundër njerëzimit dhe krime të tjera të luftës të kryera gjatë luftës në Bosnje e Hercegovinë./Telergafi/.
