Ushtruesja e detyrës së presidentes së Kosovës, Albulena Haxhiu, të hënën në një ceremoni të veçantë ua dorëzoi dekretin e shtetësisë së Kosovës, ish-kongresmenit amerikan, Joe DioGuardit dhe bashkëshortes së tij, Shirley Cloyes DioGuardit. Ish-zyrtarët amerikanë kanë qenë nga zërat më të fuqishëm në Uashington në mbështetje të shqiptarëve të Kosovës dhe të pavarësisë së Kosovës.
Pas takimit dhe përfundimit të ceremonisë, DioGuardi dhe mesazh për politikën dhe popullin e Kosovës, duke bërë thirrje udhëheqësve që të zgjedhin sa më parë presidentin e vendit për të tejkaluar krizën politike.
Ai gjithashtu porosity që shqiptarët të qëndrojnë të zgjuar dhe vigjilentë, duke thënë se Kosova ka armiq të përgatitur që synojnë të prishin ekuilibrin dhe të destabilizojnë rajonin e Ballkanit. Gjersa, DioGuard bën thirrje për zgjedhjen e presidentit, në media raportohen thirrjet që ai të bëhet president i ri i Kosovës.
Veprimtari shqiptaro-amerikan Ramazan Bekteshi ka propozuar që Joe DioGuardi të bëhet president i Kosovës, duke ngritur pyetjen nëse vendlindja jashtë Kosovës përbën pengesë për këtë post.
Bekteshi ka theksuar se DioGuardi u bë zyrtarisht shtetas i Republikës së Kosovës më , por ka sqaruar se kandidimi i tij do të përballej me kushtin ligjor për banim të përhershëm në Kosovë për së paku 10 vjet. Sipas tij, propozimi mbetet më shumë një skenar hipotetik dhe satirik politik, duke vlerësuar njëkohësisht angazhimin e gjatë të DioGuardit në mbështetje të Kosovës.
“Dua Joseph DioGuardi të bëhet President i Kosovës! Për të qenë President i Kosovës a duhet të kesh lindur në Kosovë? Sipas Nenit 85 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, President mund të zgjidhet çdo shtetas i Republikës së Kosovës që ka mbushur 35 vjeç. Kushtetuta nuk kërkon që personi të ketë lindur në Kosovë”, ka shkruar Bekteshi.
DiGuard si president nderi Publicisti shqiptar, Adriatik Riza Dosti, thotë se ka kongresmen e senator që mund të ishin e të jenë me statusin e presidentit të Kosovës. Sipas tij, dhënia e shtetësisë së Kosovës Di Guard-it është e vonuar.
Adriatik Riza Dosti “Për atë çka kanë bërë për Shqipërinë e, veçmas, për Kosovën, DiGuardi në veçanti, por edhe nja 2-3 kongresmenë e senatorë të tjerë amerikanë, ku fatkeqësisht Dole e Engel nuk jetojnë më… mund të ishin e të jenë me statusin e Presidentit të Kosovës ose e këshilltarit special të Presidentit të Kosovës.
Mënyra se si iu dha shtetësia e Kosovës DiGuardit, për mua, është krejt normale, madje e vonuar. Të gjithë ata që kanë kontribuar e kontribuojnë për Kosovën ndër vite, duhen nderuar e respektuar në forma të ndryshme”, deklaron Dosti për “Bota sot”.
Sipas tij, DiGuard mund të jetë president nderi i Kosovës, por presidenti i saj të jetë shqiptar, figurë intelektuale dhe që i shërben fort interesit e unitetit kombëtar. “Jam i mendimit absolut që Presidenti i Kosovës të jetë shqiptar i Kosovës, figurë intelektuale dhe që i shërben fort interesit e unitetit kombëtar, e jo partive politike e as liderëve të tyre.
Duhet të jetë, në një lloj mënyre, simbol kombëtar më vete. Ndaj edhe ai duhet të jetë kombëtar e konsensual, mbi gjithkënd, në të mirë të vendit e të popullit të tij, faktor bashkimi e jo përçarjeje. Për momentin e rastin e DiGuardit, mendoj këtu edhe moshën e gjendjen shëndetësore të tij, do të isha dakord që ai të ishte President Nderi i Kosovës përderisa të jetë gjallë.
Sepse DiGuardi bën një lloj përjashtimi, pasi është me origjinë familjare shqiptare. Babai i tij është arbëresh, ka lindur në trojet arbërore dhe ka gjak puro shqiptar, çka e ka bërë publike disa herë dhe shumë kohë më parë vetë DiGuardi dhe familja e tij” , shprehet publicisti.
“Figurë unifikuese dhe mburojë e fuqishme me SHBA-në” Ndërsa, analisti Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, konsideron se DioGuardi edhe si president do ta gëzonte mbështetjen e pakursyer të SHBA-së. Sipas tij, ai ishte dhe mbetet edhe sot avokati më i mirë i Kosovës dhe popullit shqiptare në SHBA.
“ Shkëlqesia e tij, z.Josepch DioGuardi është kandidati nr.1 dhe i vetëm shqiptar prestigjioz me famë ndërkombëtare, i cili në vijimësi edhe si president i Republikës së Kosovës do ta gëzonte mbështetjen e pakursyer të SHBA-ve, si dhe do ta kishte mburojë të sigurt e avangardë të përhershme të avancimit të çështjes së Kosovës vet Kongresin Amerikan, që është edhe “shtëpia” vendimmarrëse e SHBA-ve, ku angazhimit politik i z.
DioGuardi, vazhdon me sukses për më tepër se 40 vite. Josepch DioGuardi në Kongresin dhe politikën shtetërore amerikane njihet fort e mirë nga të gjithë, për kontributin e pareshtur dhe angazhimin e vazhdueshëm për Kosovën, që nga mbledhjet e organizuara në Kongres për Kosovën, deri te diskutimet e senatorëve më të shquar si Tom Lantos, Bob Doll, Alfonse D’Amato, Dana Rochbacher etj, si dhe rezolutat e votuara pothuajse unanimisht për mbështetjen e Kosovës dhe kauzës kombëtare shqiptare, nga SHBA.
DioGuardi ishte anëtari i parë shqiptaro-amerikan me të drejtë vote në Kongresin e SHBA-ve, i cili në vitin 1989 themeloi edhe Lidhjen Qytetare Shqiptaro-Amerikane (Albanian American Civil League), organizatën e parë të këtij lloji në SHBA, ndërsa Shirley Cloyes DioGuardi, bashkëshortja e Joseph DioGuardi-t, “Këshilltare për Çështjet e Ballkanit”, në vijimësi ka ndihmuar z.DioGuardi edhe në udhëheqjen e suksesshme të kësaj organizate famëmadhe shqiptare”.
“ Josepch DioGuardi ishte dhe mbetet edhe sot, avokati më i mirë i Kosovës dhe popullit shqiptare në SHBA, i cili në maj të vitit 1990 bashkë me senatorin Tom Lantos ( që ishte edhe i mbijetuar i holokaustit) vizitoi Kosovën duke u bërë-dy zyrtarët e parë të lartë amerikanë që përjetuan nga afër situatën tmerruese politike dhe mësuan të vërtetën e rëndë tragjike në vend të ngjarjes, duke e parë me sytë e vet, vuajtjet e shqiptarëve nga terrori shtetëror i okupatorëve serb.
Vetëm rreth tre muaj më vonë, pra në gusht të vitit1990, z.DioGuardi vizitoi Kosovën bashkë me z. Bob Doll i cili me kishte marr me vete edhe 6 senator të tjerë amerikan që konsiderohet edhe si vizitë historike në Kosovë, ndërsa më 1998, Josepch DioGuardi vizitoi serish Kosovën, tani me DANA ROCHBACHER për tu informuar sa më në detaje, mbi krizën e trishtueshme të luftës dhe katastrofën humanitare të shkaktuar nga Serbia ndaj shqiptarëve në Kosovë”, thekson Qarri.
Sipas tij, DioGuard është figurë që mund të bashkojë subjektet politike shqiptare dhe të forcojë lidhjet e vendit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Për “Bota sot”, Qarri është ndalur te situata aktuale politike në Kosovë, duke thënë se vendi po kalon nëpër “kohë të trazuara politike” dhe një gjendje të paqartë institucionale që, sipas tij, po zgjat tash e gati dy vjet.
Ai ka kritikuar ngërçet dhe bllokadat ndërpartiake, të cilat, sipas tij, po rrezikojnë funksionimin normal të shtetit dhe po pengojnë krijimin e një qeverisjeje stabile. Në këtë situatë, Qarri e sheh DioGuardin si një kandidat që mund të jetë i pranueshëm për të gjitha subjektet politike shqiptare. Gani Qarri “Janë argumente më tepër se të mjaftueshme, që z.
Joseph DioGuardi, pas marrjes së shtetësisë të emërohet në mënyrë unanime dhe votohet me aklamacion në formën më të lartë ceremoniale në Kuvend nga të gjitha partitë shqiptare edhe për president të Republikës së Kosovës”, potencon Qarri.
Sipas tij, DioGuardi është një “shqiptaro-arbëresh patriot me përvojë mbi gjysmëshekullore politike dhe diplomatike”, i cili, përveçse do të ishte një emër i përshtatshëm për president, do të ishte edhe një figurë “unike dhe i pa-refuzueshëm për të gjitha subjektet parlamentare”.
Qarri vlerëson se DioGuardi gëzon respekt të gjerë në mesin e shqiptarëve, pasi për më shumë se katër dekada ka dhënë, sipas tij, kontribut për shqiptarët në Kosovë, Iliridë, Çamëri, Kosovën Lindore dhe në trojet shqiptare nën Mal të Zi.
“Emërimin CEREMONIAL të Joseph DioGuardit për president e bën pothuajse të patejkalueshëm vetë kontributi i tij i gjatë dhe i sinqertë, e për aq më tepër edhe shumë i suksesshëm dhe i realizuar gjithmonë në momentet më kritike për mbështetjen e pakursyer të Kosovës, çështjes tonë kombëtare dhe të drejtat njerëzore, arsimore e kombëtare të pjesëtarëve të popullit shqiptar në të gjitha trojet tona etnike ”, shprehet analisti.
Qarri i referohet edhe takimit të 26 gushtit ndërmjet kryeministrit në detyrë Albin Kurti dhe kryetarit të LDK-së, Lumir Abdixhiku, duke shprehur shpresën që në kuadër të emrave të diskutuar për zgjidhjen e çështjes së presidentit të jetë përfshirë edhe DioGuardi. “Shpresojë që edhe në takimin e 26 gushtit të kryeministrit Kurti me z.
Abdixhiku në kuadër të emrave të propozuar nga të dy subjektet bashkëbiseduese, ndër vendet e para, të jetë nderuar emri i z. DioGuardi” , shkruan ai. Sipas Qarrit, marrja e shtetësisë së Kosovës nga DioGuardi dhe bashkëshortja e tij mund të jetë vetëm fillimi i një procesi më të gjerë, përmes të cilit shteti i Kosovës do ta angazhonte atë në një rol të rëndësishëm politik.
Ai thekson se DioGuardi ka merita të veçanta për Kosovën, duke e lidhur veprimtarinë e tij me çlirimin, pavarësinë, mbijetesën dhe shtetndërtimin e vendit. “Z. Joseph DioGuardi ka merita të veçanta dhe ka kontribuuar për disa dekada, shumë dhe pareshtur, pa u ndaluar asnjëherë deri në ditët e sotme”, thekson Qarri.
Në pjesën tjetër të shkrimit, Qarri argumenton se ngërçi aktual institucional mund të shërbejë si shtysë për ndryshimin e Kushtetutës sa i përket mënyrës së zgjedhjes së presidentit. Ai konsideron se zgjedhja e presidentit nuk duhet të mbetet vetëm në duart e Kuvendit, por presidenti duhet të zgjidhet drejtpërdrejt nga qytetarët.
“Ngërçi për zgjedhjen e të parit të shtetit, herët a vonë do ta detyrojë kastën politike për ndryshimin e Kushtetutës dhe përshtatjen në mënyrë më solide, të neneve të saj për zgjedhjen e presidentit, jo më nga Kuvendi por nga populli i Kosovës”, shkruan Qarri.
Ai kërkon që ky ndryshim të bëhet me urgjencë, në mënyrë që të shmangen problemet që, sipas tij, po përsëriten tash e gati dy vjet për shkak të pamundësisë për sigurimin e kuorumit prej 80 deputetësh në seancë. Qarri propozon gjithashtu heqjen e kushtit që kandidati për president duhet të ketë jetuar 10 vitet e fundit në Kosovë.
“Mjafton të jetë shqiptar dhe intelektual e atdhetar i dëshmuar” , shkruan Qarri, duke argumentuar se personalitete si DioGuardi apo Faton Bislimi mund të kontribuojnë për Kosovën edhe nga Shtetet e Bashkuara. Sipas tij, fakti që SHBA-ja është qendra e zhvillimeve të politikës botërore e bën edhe më të rëndësishme praninë e figurave shqiptare me ndikim atje.
Qarri përmend selinë e Këshillit të Sigurimit dhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara, duke theksuar se Kosova synon anëtarësimin në këtë organizatë si shtet i pavarur me të drejta të plota. Ai beson se një proces i tillë mund të arrihet vetëm me ndihmën e SHBA-ve dhe personaliteteve të shquara që gëzojnë respektin dhe mbështetjen amerikane, siç është, sipas tij, Joseph DioGuardi.
Qarri e konsideron si një prej avantazheve kryesore të DioGuardit faktin se ai ka vepruar për dekada në Kongresin Amerikan dhe ka ndërtuar lidhje me figura të rëndësishme politike në SHBA.
“DioGuardi President i Kosovës, aktualisht dhe në këto momente të trazuara të politikës globale, është i vetmi kandidat shqiptar, i cili do ta gëzonte në vijimësi mbështetjen e SHBA-ve dhe do ta kishte mburojë të sigurt e gardian të përhershëm të çështjes së Kosovës vet Kongresin Amerikan”, thekson mes tjerash Qarri.
Ai kujton se Kongresi Amerikan ka qenë edhe “shtëpia” e veprimtarisë politike të DioGuardit, i cili, sipas tij, për më shumë se 40 vite ka vepruar dhe është angazhuar për Kosovën dhe kauzën kombëtare shqiptare.
Në këtë kontekst, Qarri përmend mbledhjet e organizuara, diskutimet e kongresistëve të mirënjohur dhe rezolutat e votuara në Kongres në mbështetje të Kosovës dhe çështjes kombëtare shqiptare. Gjithashtu, Qarri ndalet edhe te angazhimi i DioGuardit për shqiptarët në Maqedoninë e atëhershme, veçanërisht për hapjen e Universitetit të Tetovës.
Sipas tij, themelimi i universitetit të parë në gjuhën shqipe për shqiptarët në Iliridë nuk ishte vetëm çështje e një të drejte njerëzore, por një interes jetik kombëtar. Ai rikujton edhe një deklaratë të DioGuardit gjatë nderimit me titullin “Honoris Causa” nga Universiteti i Kosovës, ku ai kishte thënë se gjatë veprimtarisë së tij nuk ishte joshur nga paratë apo përfitimet financiare.
“DioGuardi asnjëherë nuk është mashtruar nga paratë as joshjet sado të mëdha për përfitime monetare, por gjithmonë e çdo herë, i ka dhënë përparësi vetëm çështjes kombëtare, që për të ishte e mbeti numër 1”, thotë Qarri.
Ai thekson se DioGuardi e ka kaluar gjithë jetën duke u marrë me çështjen e Kosovës dhe të shqiptarëve në Iliridë, duke përmendur edhe përpjekjet e tij për hapjen e Universitetit të Tetovës.
Në përmbyllje, Qarri e cilëson DioGuardin si një figurë poliedrike, me përvojë të gjatë politike dhe njohuri të gjera diplomatike ndërkombëtare, për të cilin, sipas tij, do të ishte nder dhe krenari e veçantë që të merrte votat e të gjithë deputetëve shqiptarë, pa dallim partie.
Ai konsideron se një president me këtë profil do të mund të kontribuonte në tejkalimin e krizës aktuale institucionale, avancimin e rrugëtimit euroatlantik dhe forcimin e shtetndërtimit të Kosovës. “Prandaj do të ishte nder dhe krenari e veçantë për shtetin dhe popullin e Kosovës, nëse një figurë poliedrike si z.
DioGuardi me përvojë të gjatë politike e njohuri të gjera diplomatike ndërkombëtare, siguron votat e të gjithë deputetëve shqiptarë, pa dallim partie”, përfundon Qarri.
Ai u bën thirrje institucioneve dhe partive politike që, sipas tij, të mos e humbin këtë mundësi për të zgjedhur një figurë që do të mund të shërbente si faktor bashkimi dhe të ndihmonte Kosovën në konsolidimin e institucioneve, në marrëdhëniet me SHBA-në, në rrugëtimin euroatlantik dhe në synimin për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
