Një vatër e re zjarri është shfaqur mëngjesin e sotëm mbi fshatin Vajkal, në bashkinë Bulqizë. Siç shihet edhe nga pamjet e siguruara nga korrespondenti i Top Channel Dëfrim Karaj, flakët janë përhapur pranë banesave të fshatit, duke krijuar shqetësim për banorët dhe duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për të parandaluar përhapjen e zjarrit drejt zonës së banuar.
Ndërkohë, tymi i dendur ka mbuluar edhe lagjet e qytetit të Ri të Bulqizës, duke krijuar një situatë të rënduar për banorët. Mbetet për t’u parë ndërhyrja e strukturave të emergjencave dhe zjarrfikësve për vënien nën kontroll të flakëve dhe shmangien e rrezikut për banesat dhe banorët e zonës.
