Një shoqatë e qytetarëve nga Beogradi – “Badnjak” ka paralajmëruar se nga 26 deri më 28 shtator do të organizojë një pelegrinazh treditor nga kryeqyteti i Serbisë në Kosovë, gjatë të cilit pjesëmarrësit do të vizitojnë disa kisha, manastire dhe lokalitete të banuara nga serbët e këtushëm.
Ditën e parë, pas mbërritjes në Kosovë, grupi do të vizitojë kishën në Babin Most, manastiret Sushicë dhe Graçanicë, si dhe kishën në Ferizaj. Më pas, pjesëmarrësit do të vazhdojnë drejt Hoçës së Madhe, ku në program është Kisha e Shën Arkidiakonit Stefan. Aty është paraparë edhe darka e përbashkët, ndërsa qëndrimi gjatë natës do të bëhet te familjet vendase.
Të dielën, më 27 shtator, është planifikuar pjesëmarrja në liturgji në Rahovec, pas së cilës grupi do të niset drejt Prizrenit. Atje do të vizitohen Kisha e Shën Premtes, Katedralja e Shën Gjergjit dhe Seminari Ortodoks i Prizrenit. Pas qëndrimit në Prizren, pelegrinët do të shkojnë në Manastirin e Kryeengjëjve të Shenjtë, ku janë paraparë darka dhe fjetja.
Ditën e tretë, më 28 shtator, grupi do të niset në orët e hershme të mëngjesit drejt Manastirit të Deçanit për të marrë pjesë në liturgji. Më pas, programi vazhdon me vizita në Patriarkanën e Pejës dhe kishën në Vitomiricë. Kthimi në Beograd parashihet në orët e vona të mbrëmjes.
Në njoftimin për këtë udhëtim, që sic thuhet, do të kushtojë 90 euro për person, përmendet edhe një komponent humanitar, por nuk janë dhënë hollësi se çfarë konkretisht do të përfshijë ai.
Pelegrinazhet nga Serbia drejt kishave dhe manastireve ortodokse në Kosovë organizohen në vazhdimësi, ndërsa sipas një materiali të publikuar nga KoSSev, thuhet se interesimi për udhëtime të tilla shumëditore është i madh dhe disa organizatorë ofrojnë termine të përsëritura gjatë vitit.
Organizatorët nga “Badnjak” nuk kanë njoftuar nëse me rastin e kësaj vizite do të angazhojnë ndonjë udhërrëfyes të licencuar turistik nga autoritetet e Republikës së Kosovës.
Institucionet e Kosovës kanë nisur, nga 1 Gushti zbatimin e ligjit për Turizëm, i cili, ndër tjera, obligon që në të gjitha rastet e vizitave turistike, të ketë një udhërrëfyes të licencuar nga autoritetet e Republikës, ani se organizatorët e tyre mund të kenë një udhërrëfyes” të huaj”.
“Ligji i Kosovës për Turizmin përcakton se udhërrëfyesi i huaj, i cili nuk është i regjistruar në Kosovë, mund të shoqërojë një grup të huaj në cilësinë e shoqëruesit turistik, por gjatë ofrimit të shërbimeve të udhërrëfimit duhet të shoqërohet nga një udhërrëfyes i regjistruar në Kosovë.
Ligji nuk përcakton se vetë pelegrinazhi fetar konsiderohet shërbim i udhërrëfimit turistik”, thuhet në ligj, transmeton KosovaPress.
Sipas rregullave të Kosovës, detyrimi për licencë hyn në fuqi kur ofrohet shërbim profesional i udhërrëfimit turistik ndërsa thuhet se priftërinjtë, murgjit ose përfaqësuesit fetarë që shoqërojnë besimtarët në cilësi shpirtërore, nuk konsiderohen udhërrëfyes turistikë vetëm për shkak të këtij shoqërimi.
Pavarësisht këtij sqarimi, kjo çështje ka nxitur reagime të rrepta, duke përfshirë edhe nivelet më të larta të shtetit serb, por edhe të Kishës Ortodokse. Nga kjo e fundit kanë thënë se vizitat e besimtarëve në manastire nuk mund të barazohen me ture turistike komerciale, pasi manastiret janë vende të adhurimit, lutjes dhe jetës monastike.
