Gjykata e Lezhës është evakuuar të enjten pas një alarmi për bombë, ndërsa forcat e Policisë kanë rrethuar objektin dhe kanë nisur kontrollet në ambientet e tij. Pas marrjes së njoftimit, personeli i gjykatës është nxjerrë nga godina për arsye sigurie, ndërsa aktiviteti gjyqësor është ndërprerë gjatë paradites.
Për shkak të situatës janë pezulluar edhe disa seanca të planifikuara, përfshirë seanca për vlerësimin e masave të sigurimit. Sipas raportimeve, në adresat zyrtare të disa institucioneve në Shqipëri, përfshirë edhe në Lezhë, kanë mbërritur email-e kërcënuese nga një adresë që pretendon lidhje me organizatën terroriste ISIS.
Megjithatë, burimi dhe autenticiteti i këtyre mesazheve ende nuk janë konfirmuar. Policia po vijon kontrollet dhe verifikimet në objekt, ndërsa hetimet pritet të përcaktojnë nëse bëhet fjalë për kërcënim konkret apo alarm të rremë. Sinjali – aty ku e vërteta flet para lajmit!
